Sipas Hummels kritikët e Gjermanisë po i trajtojnë futbollistët si amatorë

Mats Hummels i ka cilësuar kritikuesit e paraqitjes së Gjermanisë si fajtorë për shkak se e kanë trajtuar ekipin kombëtar si amatorë.

“Die Mannschaft” pas humbjes së thellë 3-0 ndaj Holandës, radhitet e fundit në grupin e saj në Ligën e Kombeve kurse kujtimet nga kampanja zhgënjyese në Kupën e Botës janë ende të freskëta.

Kjo ka ngjallur kritika nga media dhe opinioni në Gjermani, me Hummels që iu është përgjigjur ashpër duke kërkuar më shumë mbështetje.

“Ata për momentin po kritikojnë gjithçka, është disrespektuese sipas mendimit tim. Është e vërtetë se ne ende e kemi një skuadër të mirë por ne po trajtohemi sikur të ishim amatorë. Sidoqoftë na duhet ta pranojmë këtë fakt”, u shpreh mbrojtësi i Bayernit.

Gjermania pritet të ketë punë të vështirë kur nesër të përballet në udhëtim me fituesen e Kupës së Botës Francën.