Sipas Guardiolas, Manchester City e ka arritur kulmin e formës ndaj Shakhtarit

Pep Guardiola e ka përshkruar pjesën e parë të ndeshjes ndaj Shakhtarit si më të mirën prej se është emëruar trajner i Manchester Cityt.

“Citizens” triumfuan 0-3 në udhëtim te klubi ukrainas duke u bërë klubi i parë anglez që triumfon ndaj tyre në fushë mysafire.

Manchester City kryeson grupin F me 6 pikë ndërsa ndiqet nga Lyoni me 5 pikë në vendin e dytë, kjo situatë e ka lënë të kënaqur Guardiolan.

“E pabesueshme. Pjesa e parë mbrëmë ishte më e mira në 3 sezonet e fundit. Kishim shumë presion pas humbjes me Lyonin në shtëpi. Fitorja me Hoffenhemin në xhironë e dytë dhe suksesi i mbrëmshëm do të thotë se jemi në një situatë komode dhe e kemi fatin në duart tona”, nënvizoi Guardiola.

Ish trajneri i Barcelonës e ka përmendur lojën e treguar si faktorin më të madh që i ka dhënë kënaqësi duke shtuar se Shakhtari është një skuadër e vështirë për t’u dominuar në atë formë.