Sipas Guardiolas janë 5 skuadra në garë për titull në Premier League

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola beson se skuadra e tij është vetëm një nga pesë kandidatët për t’i shkuar deri në fund garës në Premier League.

City dhe Liverpool shihen si favoritët kryesor për të triumfuar në fund, teksa kjo dyshe janë liderë me dy pikë më shumë se ndjekësit Chelsea, Arsenal dhe Tottenham.

Teksa “Citizens” janë duke u përgatitur për udhëtimin në Londër për t’u ballafaquar me Tottenhamin në derbin e javës së 10-të në Premier League, Guardiola ka insistuar se plot pesë skuadra rivalizojnë për titull.

“Nuk kam dyshime për këtë. Janë vetëm dy pikë dallim mes pesë ose gjashtë skuadrave, dhe të gjitha janë të forta. Mund ta shihni formacionin startues të Tottenhamit, nuk ka ndryshuar në pesë vitet e fundit. Tani ata nuk mund të shpenzojnë për lojtarë shkaku i kostos së shtrenjtë që pati stadiumi. Por ata janë top klub. Tottenhami ma shkaktoi humbjen e parë në Angli dhe e kuptova se sa të rrezikshëm janë, ndërsa kanë edhe një trajner të mirë”, nënvizoi Guardiola.