Italiani merr përgjegjësitë

Sipas Gattusos është ai që duhet fajësuar kur Milani mposhtet

Gennaro Gattuso e pranon se ai duhet t’i marrë përgjegjësitë kur Milani humbet por tregoi se e ka mbështetjen e futbollistëve pas fitores 3-2 ndaj Sampdorias.

Milani i kishte humbur dy ndeshjet e fundit, në derbi kundër Interit dhe në Europa League përballë Betisit, disfata këto që kishin rritur presionin ndaj Gattusos.

Trajneri italian ishte në disponim të mirë pas triumfit që e afroi me zonën Champions në vetëm 3 pikë.

“Urime për djelmoshat. Është e qartë se kur skuadra nuk fiton faji i vihet trajnerit. Nëse do të kisha parë ndonjë sinjal se skuadra nuk më përcjell, do të kisha marrë një hap pas, por nuk do ta bëjë pasi që e di se skuadra është me mua. Ne mund të përmirësohemi por ka shumë presion, shpesh ndëgjoj spekulime. Por nga ana ime jam i qetë pavarësisht se është e vështirë”, nënvizoi Gattuso.

Milani pret Genoan të mërkurën në ndeshjen e mbetur për shkak të tragjedisë që kishte ndodhur në urën “Morandi”, me rosonerët që kanë mundësinë të bëjnë hapa përpara në objektivin Champions League.

“Duhet të kemi vazhdimësi në rezultate. Duhet të bëjmë gjithçka për të rikuperuar pozitat në klasifikim. Ndaj Genoas do të jetë shumë e rëndësishme dhe ne duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen”, përfundoi Gattuso.