Sipas Essien rikthimi i Lampard në “Stamford Bridge” do të jetë sfidues për të

Eliminimi i Chelseat nga EFL Cup do të ishte një detyrë e vështirë për Lampardin e Derby Countyt, pretendon Michael Essien.

Ish mesfushori i Chelseat, Michael Essien mendon se rikthimi i Frank Lampard në “Stamford Bridge” do të jetë i vështirë për ish mesfushorin legjendar të londinezëve.

Për herë të parë në karrierën e tij si trajner, Frank Lampard do të jetë në stolin kundërshtar të Chelseat, klub me të cilin ka fituar 11 tituj mes të cilëve 3 Premier League dhe 1 Champions League.

Derby County siguroi biletën për në turin e ardhshëm të EFL Cup me triumfin pas penalltive ndaj Manchester Unitedit në “Old Trafford”, teksa u shortuan më pas me “The Blues”.

Essien që ka luajtur së bashku me Lampard pret që 40 vjeçarit t’i ofrohet një mirëseardhje e ngrohtë nga tifozët e Chelseat por nuk beson te një tjetër befasi.

“Ne të gjithë e dijmë se çfarë ka bërë për Chelsean, ai është një legjendë. Lampard do të rikthehet në shtëpi kështu që do të jetë një natë e madhe. Jam i sigurt se do të synojë të fitojë por në “Stamford Bridge” nuk do të jetë e lehtë”, deklaroi Essien.

Derby vjen në këtë sfidë pas 5 ndeshjeve pa humbje në Championship, ndërsa Chelsea i ka fituar 8 ndeshjet e fundit në shtëpi përballë këtij kundërshtari.