Humbja kundër Liverpoolit do ta linte Manchester Cityn 10 pikë prapa garës për triumfin në Premier League, dhe për portierin e “Citizens”, Ederson, fitorja në atë takim kishte vlerë të madhe.

City ngushtoi epërsinë e “The Reds” në vetëm 4 pikë, me fitoren e javës së kaluar në “Etihad”, me Agueron dhe Sanen që u përkujdesën që goli i Firminos të mos kishte asnjë vlerë.

Ederson tregoi se askush te Manchester City nuk e nënvlerësoi rëndësinë e këtij takimi.

“Për ne kjo përballje kishte rëndësinë e jetës a vdekjes. Ishim të vetëdijshëm për rrethanat e ndeshjes, të barazonim apo të pësonim disfatë nuk ishte pjesë e opsioneve. Ne synonim vetëm fitoren dhe realizuam një lojë të mirë. Ishte loja më e mirë e jonë në Premier League deri më tani, shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm”, tha Ederson.

Manchester City ndeshjen e javës së 22-të në Premier League e zhvillon në shtëpi të hënën kundër West Hamit.