Barcelona, Juventusi dhe Borussia Dortmundi janë 3 skuadrat me pëqindje të plot të fitoreve në Champions League, por trajneri i “Bianconerëve”, Massimiliano Allegri ka refuzuar të konsiderohet favorit për triumfin final para katalanasve.

Juventusi me një fitore potenciale ndaj Manchester Unitedit mesjavën e ardhshme, mund të sigurojë kalimin për në fazën me eliminim direkt ndërsa edhe transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi i ka rritur gjasat e “Zonjës së Vjetër” në arenën europiane.

“Këtë vit favoriti më i madh është Barcelona, por edhe ne jemi në 4 prej pretendentëve kryesor. Nesër ndaj Cagliarit duhet të fitojmë dhe kjo nuk është gjë e lehtë, e pamë ndaj Empolit. Duhet më shumë fokusim në Serie A sepse në Champions fokusimi ndodh automatikisht për arsye se nuk ka shumë ndeshje dhe të gjitha janë të vështira. Kështu që duhet të tregojmë gjithmonë respekt dhe koncentrim”, tha Allegri.

Ish trajneri i Milanit kishte lëvdata të shumta për kundërshtarin e nesërm, Cagliarin të cilët i përshkruajti si skuadër e shpejtë dhe e rrezikshme në zonë dhe nga ndërprerjet.

Allegri zbuloi edhe disa nga lojtarët që do të aktivizohen ndaj sardëve me Pjanic e Matuidi që do të jenë në mesfushë, Cancelo dhe Bonucci janë konfirmuar në mbrojtje gjersa sulmi do të udhëheqet nga Cristiano Ronaldo ndërsa Szczesny ka fituar betejën me Perinin në portë.