Policia e Kosovës

Sindikata e Policisë: Nëse nuk përmirësohen kushtet, shumë policë do të japin dorëheqje për të migruar jashtë vendit

Valës së migrimit të fundit nga Kosova, i janë bashkuar edhe punonjësit e sektorit publik bashkë me mjekët, po largohen edhe zyrtarët që shërbejnë në institucionet e sigurisë së vendit. Fakt ky i cili po konsiderohet mjaft shqetësues për të ardhmen e Kosovës.

Këto pretendime i konfirmojnë edhe në Sindikatën e Policisë së Kosovës, ndonëse mungojnë të dhëna zyrtare mbi numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga ky institucion për të marrë rrugë drejtë vendeve të BE-së.

“Po them më shumë bindje që të gjithë pjesëtarët e PK i mban vullneti për atdhe dashuri, unë e di që secili që aplikom me u punësu në PK, e ka njenjën e mbrojtjes së vendit, kjo është ajo që na mban më shumë, po kemi raste kur zyrtarët policor kanë bërë kërkesë për dorëheqje dhe janë larguar nga PK, nuk i di arsyjet për të gjitha rastet por disa prej tyre kanë gjetur punë që paguhet më mirë” tha Imer Zeqiri, Kryetar i Sindikatës së PK-së.

Në këtë sindikatë kërkojnë që të ngritet një alarm për largimin e zyrtarëve të sigurisë, numri i të cilëve mund të rritet edhe më shumë, në mungesë të kushteve më të mira për ta.

“Do duhej të ngrihej një alarm të qeveria se nëse vazhdohet me këto kushte mund të ketë edhe kërkesa tjera që të tërhiqen nga policia për të vazhduar më tutje”, u shpreh ai tutje.