Atletico Madrid – Diego Simeone është një marrëdhënie pasioni që duket se nuk zbehet kurrë.
Trajneri argjentinas dhe klubi nga kryeqyteti spanjoll kanë nisur të punojnë për rinovimin e kontratës mes tyre.
Në këtë mënyrë, pas operacionit të Alvaro Moratës, zyrtarizimi i të cilit është çështje orësh, Atletico Madrid po mendon të shtrijë në kohë bashkëjetesën me 48-vjeçarin, kontrata aktuale e të cilit skadon në vitin 2020.
Rinovimi parashikon qëndrimin e tij në stolin e “Los Colchoneros” deri në vitin 2022. Bisedimet pritet të zhvillohen gjatë ditëve në vijim, edhe pse është qartësisht i dukshëm vullneti të dyja palëve për këtë marrëveshje, ku Simeone do të ketë logjikisht edhe një rritje në termat financiarë, ndonëse aktualisht ai klasifikohet si trajneri i tretë më i paguar në botë.
Me 7 tituj të fituar në stolin e bardhekuqve Simeone përgjatë viteve të fundit e ka drejtuar këtë skuadër drejt sezoneve më të suksesshme në historinë e klubit spanjoll.







