Humbja 4-0 ndaj Borussia Dortmundit nuk e ka bërë Diego Simeonen të dyshojë lidhur me filozofinë e lojës që e aplikon te Atletico Madridi.

Në prag të sfidës së kthimit kundër “milionerëve”, Simeone e ka mbrojtur stilin e tij duke thënë se nuk kanë pasur shumë rezultate negative në 7 vitet e fundit, prej se argjentinasi është në stolin e “Los Colchoneros”, ndërsa është trajneri më i suksesshëm në histori të klubit spanjoll me 7 trofe të fituar.

“Futbolli është i mrekullueshëm dhe për ta luajtur atë ka mënyra të pafundme. Duhet të zgjedhni një dhe ne besojmë se kjo e jona është e duhura duke ia përshtatur edhe tipareve të futbollistëve. Dortmundi janë prej skuadrave më të mira në Europë, për këtë arsye janë lider në Bundesliga dhe të pamposhtur në të gjitha kompeticionet. Ata luajnë futboll spektakolar dhe nëse vazhdojnë me këtë formë mund të shpallen kampion të Gjermanisë. Ne bëmë gjëra të mira përballë tyre por nuk arritëm të fitojmë, duhet t’i përgëzojmë ata”, theksoi Simeone.

Atletico do të jetë sërish pa treshen Costa, Koke dhe Godin për shkak të lëndimeve muskulare por Simeone pret që futbollistët e lënduar së shpejti të rikthehen në skuadër.