Për sfidën me Dortmundin

Simeone i kënaqur me rikthimin e Diego Costas

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone e ka nënvizuar rëndësinë që ka rikthimi nga lëndimi i sulmuesit Diego Costa në prag të përballjes me Borussia Dortmundin në Champions League.

Costa ka mbetur jashtë fushave pas një problemi në kofshë por sulmuesi i kombëtares së Spanjës do të jetë me skuadrën e Atletico Madrdit që sonte takohet në “Signal Iduna Park” me Dortmundin.

Ish sulmuesi i Chelseat ende nuk ka arritur të shënojë gol në La Liga, kurse në Champions League i realizoi Monacos në fitoren 1-2. Simeone ka lavdëruar shtytjen morale dhe fizike që Diego Costa i dhuron skuadrës.

“Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm për karakterin që e transmeton te bashkëlojtarët dhe për potencialin që e ka si futbollist. Costa nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit por do ta shohim nëse do të jetë në fushë kundër Dortmundit. Ai ka stërvitur mirë dhe ka entuziazëm për të dhënë më të mirën e tij”, tha Simeone.

Tutje trajneri argjentinas shprehu pëlqyeshmërinë e tij karshi sulmuesit të transferuar këtë verë te Dortmundi, Paco Alcacer, duke përmendur faktin se ish futbollisti i Barcelonës e ka gjetur vetbesimin te klubi gjerman.