Mesfushori i Manchester Cityt, David Silva ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij ta fitojnë derbin për tifozët, që zhvillohet të dielën në “Etihad” kundër rivalëve të qytetit, Manchester Unitedit.

Skuadra e Pep Guardiolas që është lidere, do të futet në këtë ndeshje si favorit absolut përballë “Djajve të Kuq” që ndodhen në vendin e 7-të me 9 pikë më pak se “Citizens”.

Silva që ka shënuar 2 gola e ka asistuar 3 herë në këtë edicion të Premier Leagues, beson se pozitat në tabelë nuk kanë asnjë rëndësi para ndeshjeve derbi, teksa ka kërkuar që fitorja në derbi t’i dedikohet tifozëve.

“Secila ndeshje derbi është e ndryshme, ashtu siç janë edhe sezonet. Mund ta vëreni këtë pavarësisht pozitave në të cilat ndodhen klubet. E kemi parë se çfarë ndodhi sezonin e kaluar kur ata erdhën te ne dhe gjithashtu kur fituam ne në “Old Trafford”. Ne jemi të vetëdijshëm pë rëndësinë e derbit për njerëzit që kanë qenë të përfshirë, për tifozët e të dyja skuadrave e veçanërisht për ata të Cityt. Është një mundësi e mirë nëse keni fituar dhe kur nesër shkoni në punë dhe takoni shokët e juaj t’i ngacmoni”, nënvizoi Silva.

Manchester City ende nuk e ka shijuar shijen e humbjes në Premier League këtë sezon, ndërsa Manchester United vjen me moral të lartë pas dy fitoreve rradhazi të arritura në minutat e fundit, ndaj Bournemouthit fundjavën e kaluar dhe kundër Juventusit këtë mesjavë.