Sikur s’ka ligj e Covid: Në Gjilan lokalet po organizojnë ndeja me qindra persona

Që nga muaji mars, Kosova po vazhdon të përballet me situatë të krijuar si pasojë e virusit COVID-19.

Deri më sot numri i përgjithshëm i të infektuarve ka shkuar në mbi 50 mijë persona.7

Nga institucionet qendrore u morë vendim për masa shtesë në mënyrë që shpërndarja e virusit të jetë më e vogël, por duket se jo të gjithë po i respektojnë këto masa.

Anipse disa komuna mbyllen totalisht në ora 20:00, në Komunën e Gjilanit në ora 20:00 parashihet që të mbyllen lokalet, por jo edhe qarkullimi si dhe shërbimi ‘Take Away’ apo merr me vete.

Por ajo që s’është aspak në rregull është grumbullimi i madh i qytetarëve para orës 20:00. Në një video të dërguar në redaksi të lajmi.net shihet qartë se në kafiteritë në Gjilan jeta e natës po zhvillohet pa pikë problemi, e ku njerëzit veçse janë të ngjitur me njëri-tjetrin, pa maska e pa pikë distance.

Ditëve të fundit pati edhe shtim të madh të numrit të bashkatdhetarëve të cilët kanë ardhur, e që padyshim rreziku i përhapjes së koronavirusit është edhe më i lartë.

Ngjashëm situata është në shumë lokale të Gjilanit, por edhe në shumë lokale të Prishtinës, Gjakovës e disa prej qyteteve të tjera.

Vendosja e maskës, respektimi i distancës dhe higjiena janë ndër kushtet bazë për të mbajtur sa më larg COVID-19, e që shumë pak po respektohen tek ne.

Nuk dihet nëse masat e vendosura nga Qeveria Hoti dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj do të ndryshojnë, por që të njëjtat nuk po respektohen as nga vetë politikanët.

Me të marrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhje brenda 40 ditëve, partitë politike janë aktivizuar duke u mbledhur nëpër oda, shtëpi e salla të ndryshme.

Ngjashëm vepruan edhe nga LDK, parti kjo udhëheqëse e qeverisë në detyrë.