Sigal Prishtina fiton thellë derbin me Trepçën

Sigal Prishtina ka shënuar fitore të thellë ndaj rivales së madhe, Trepçës. Të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, skuadra vendase fitoi me shifrat 82:65. Prishtina që në çerekun e parë bëri shkëputje dhe ka kontrolluar thuajse tërë ndeshjen. Takimi ishte i vlefshëm për javën e 13-të të Superligës së Kosovës në basketboll.

Kapiteni Muhamedali Janjeva ishte më i miri te Prishtina. Ai realizoi 11 pikë e 10 kërcime. Lejson Zeqiri shtoi 20 pikë e pesë kërcime, ndërsa Biram Faye i kishte 16 pikë e gjashtë kërcime.

Andrew Gordon ishte më i miri te Trepça me 11 pikë e gjashtë kërcime. Ty Cockfield i kishte 15 pikë e gjashtë asistime, ndërsa Amin Hot shtoi 10 pikë.

Trepça pësoi humbjen e katërt dhe tani i ka 22 pikë, sa edhe Ylli. Prishtina shënoi fitoren e shtatë dhe ngrihet në mesin e tabelës me 20 pikë, sa i kanë edhe Prizreni e Bashkimi.