“S’i pranojnë vendimet kundër tyre”, problemet e zyrtarëve të VV-së me ligjin shihen si fenomen brenda partisë

Gjykata Themelore e Prizrenit, i ka dënuar me tri vite burg deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje Jetmire Vrenezi dhe ish drejtorin e Inspektoratit të Komunës së Prizrenit, Islam Thaqi, për veprën penale “keqpërdorim të pozitës”.

Por, përveç këtyre dy personave që janë dënuar, qeveria të cilën e udhëheq Albin Kurti, brenda saj ka edhe figura tjera që janë duke u përballur me aktakuza të ndryshme, shkruan lajmi.net.

Disa nga emrat e këtyre figurave që kanë funksione të ndryshme janë e funksionarëve Xhelal Sveçla, Glauk Konjufca, Arbërie Nagavci, Fitore Pacolli e Mimoza Kusari-Lila.

Ministrja Nagavci dhe Ministri Sveçla ngarkohen për veprën penale “përdorim i armës dhe pengim i personit zyrtar”. Përveç tyre, për të njëjtën vepër, akuzohet edhe deputetja Fitore Pacolli.

Rreth vendimit të sotëm ndaj zyrtarëve të VV-së, aktakuzave ndaj zyrtarëve të tjerë, por edhe për premtimet që kjo parti i kishe bërë para se të vinte në pushtet, ku kishte deklaruar se do ta luftonte korrupsionin, për lajmi.net, janë prononcuar njohësi i politikës Shkodran Ramadani dhe zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi.

Ramadani tha se çdo ditë shohim raste, lajme dhe ngjarje që tregojnë të kundërtën e atyre që VV-ja ka premtuar. Duke shtuar se, edhe kjo parti si partitë tjera është me shumë njerëz që kanë probleme me ligjin.

“Sigurisht, është thënë që një kohë të gjatë që situata brenda Lëvizjes Vetëvendosje dhe prania e shumë njerëzve me precedentë jo të mira, penale që kanë problem me ligjin, është në kundërshtim me gjuhën me retoriken, diskursin dhe premtimet e mëdha që VV dhe Albin Kurti i kanë bërë në raport çështjet e korrupsionit. Pra përkundër premtimeve të shumta, pretendimeve të shumta, që janë jo vetëm lëvizje, jo vetëm e pakorruptuar por edhe e pakorruptueshme, shohim çdo ditë raste, lajme, ngjarje që tregojnë të kundërtën, që kjo parti ashtu si partitë tjera është plot me njerëz që kanë problem me ligjin, të cilët bëjnë praktika të cilat janë në kundërshti me sjelljen e ligjshme, në raport me shoqërinë, shtetin, politikën”, tha analisti i çështjeve politike.

Tutje, ai shtoi se edhe rasti i sotëm ku u dënuan dy zyrtarë të VV-së, ku njëra është deputete, tregojnë, sipas Ramadanit, se problemet me ligjin në VV nuk janë thjeshtë rastësi por një fenomen që ndodh çdo ditë e më shumë.

“Pra edhe ky rast është në vazhdën e rasteve te cila ne i shohim që shumë shpesh tregojnë që probleme me ligjin në Vetëvendosje nuk është thjeshtë rastësi dhe koincidence por një fenomen i cili vazhdon të ndodhë çdo ditë e më shumë, prej rasteve në nepotizëm, klientelizem, krejt ato që kanë të bëjnë me probleme me ligjin në shkallë më të rëndë, sikur rasti i sotëm”, përfundoi Ramadani.

I pyetur për të njëjtën çështje, zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, tha se vendimi i gjykatës për shkak të punës që këta dy zyrtarë kanë pasur në komunën e Prizrenit.

“Vendimi ka ardhur për shkak të punës së tyre që kanë bërë në komunën e Prizrenit dhe që i bie që kanë bë shkelje dhe praktikisht kjo është keqpërdorim i detyrës zyrtare. Dhe ajo nuk duhet me u ndërlidhë me akuzat ose aktakuzat që i kanë deputetë të tjerë, ta zëmë për arsye politike, që janë protestat apo gazit. Këto dyja nuk i kisha lidh bashkë”, tha anëtari i PSD-së.

Tutje, ai shtoi se premtimet e VV-së që do ta luftojë korrupsionin, sipas Nushit, nuk do të mbahen nga kjo parti, sepse, siç tha ai, ky premtim ka qenë vetëm sa për fushatë.

“Edhe atë premtim që ata e kanë dhanë, sigurisht që nuk kanë me majtë për shkak se edhe Shefin e Grupit Parlamentar e kanë me aktakuzë për korrupsion dhe nuk janë duke e shkarkuar. Ajo ka qenë veç për fushatë e zotit Kurti”, vijoi tutje zyrtari nga PSD.

Në fund, ai tha se, VV-ja nuk e pranon asnjë vendim që është në dëm të tyre, po vendimet që janë kundër partive tjera i proklamojnë si të arritura, dhe kjo sipas Nushit, është dyfytyrësia e subjekteve popullsite.

“Dhe qysh e kemi pa ata as një vendim që është në dëm të tyre nga institucionet e drejtësisë nuk e pranojnë e gjithë ato që janë kundër partive tjera i proklamojnë si të arritura të kësaj qeverie. Kjo është ajo dyfytyrësia që e bëjnë këto subjektet popullsitë”, përfundoi Nushi.

Ndërsa rreth këtij vendimi të Gjykatës Themelore të Prizrenit, ndaj zyrtarëve të VV-së, kanë reaguar zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

Një nga reagimet ka qenë ai i deputetit të kësaj partie, Artan Abrashi, i cili vendimit të Gjykatës i është referuar si “padrejtësi”. Një tjetër reagim ka ardhur nga ish kryetari i komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, i cili është deklaruar se “Kosova vend i çudirave”, duke iu referuar kështu vendimit të Gjykatës.

Rreth këtij vendimit, ka reaguar edhe vetë i dënuari i kësaj Gjykate, Islam Thaqi, i cili përmes një postimi në Facebook, është deklaruar “Shkoj Lumezi serdh Elezi”. Përveç tyre, më i ashpër në reagim ka qenë  asamblisti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, i cili ka deklaruar se, sipas tij, shteti vazhdon të jetë i kapur.

Edhe pse nuk kemi një reagim zyrtar të VV-së, deklarimet e zyrtarëve të kësaj partie që në një formë kanë kritikuar vendimin e Gjykatës në fjalë, kanë qenë të mjaftueshëm që të ketë kundër-reagime.

Një nga këto kundër reagime ndaj zyrtarëve të VV-së, ka ardhur nga Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, i cili ka thënë se komentimi i vendimeve gjyqësore nga ana politike, pra siç janë këto të ditës së sotme, sipas Miftarajt, janë ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit.

“Komentimi i vendimeve gjyqesore (te drejta, te padrejta, te bazuara, te pabazuara) nga ana e partive politike eshte nderhyrje e drejteperdrejte ne pavaresine e sistemit gjyqësor”, ka thënë drejtori i IKD-së.

Në këtë vijë, ai ka përmendur edhe Komisionin Evropian, ku ka shtuar se, jo rastësisht ky komision potencon si një problem serioz politizimin e gjyqësorit.

“Komisioni Evropian permes raportit te progresit jo rastesisht i potencon cdo vit si probleme serioze politizimin dhe nderhyrjet e politikes ne sistemin gjyqesor ne Kosove. Padyshim se Vettingu ska alternative, por se me deklarata te tilla politike, partia ne pushtet nuk i ndihmon fare kerkeses popullore dhe nevojes per Vetting ne sistemin gjyqesor dhe prokurorial, perkundrazi po e demton ate rende”, ka thënë ndër të tjerash Miftaraj.

Kujtojmë që Lëvizja Vetëvendosje, gjatë tërë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do ta luftonte korrupsionin dhe nepotizmin. Madje për këtë pjesën e fundit, vetë Kurti ishte shprehur se “Fisi është për dasma. Familja për shtëpi. S’ka dasma në ministri”. Pavarësisht kësaj, Kurti dhe qeveria që ai udhëheq, kritikohen shumë për korrupsion dhe nepotizëm.