Si ndodhi ngjarja në Pozharan të Vitisë ku u shua një familje e tërë DETAJE

Fetah Zuka së bashku me bashkëshorten e tij, Makfiren dhe dy djemtë e tij, Arbër dhe Hamdi Zuka kishin ardhur nga Zvicra për pushim në Kosovë, ku edhe u shuan sonte rreth orës 18:00 në fshatin Pozharan të Vitisë.

Gazeta Sinjali mëson se çifti Zuka kishin pasur mosmarrëveshje martesore që disa vite, për çka edhe kishin filluar diskutimet për divorc.

Konflikti kishte vazhduar edhe pas ardhjes së tyre në Kosovë.

Sinjali mëson nga familja Zuka se Fetahu fillimisht e ka vrarë gruan e tij, Makfiren dhe më pas ka shtënë në djemtë e tij, Arbër dhe Hamdi Zuka, duke i lënë të vdekur brenda shtëpisë.

Hetuesit nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur për Sinjalin se pasi i privoi nga jeta tre anëtarët e familjes së tij, Fetahu më pas dyshohet se ka dalë nga shtëpia dhe në një distancë rreth 15 metra, ka kryer vetëvrasje.

Afër trupit të pajetë të Fetahut është gjetur edhe një armë e shkurtër, revole, me të cilën ai dyshohet se ka kryer vrasjet dhe më pas e ka qëlluar veten në gojë.

E gjithë tragjedia mësohet se ka ndodhur larg syrit të familjarëve, të cilët më pas kanë gjetur trupat e pajetë.

Në vendin e ngjarjes aktualisht janë hetuesit, njësitet e forenzikës dhe krim-teknika, të cilët janë duke u marrë me këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe me intervistimin e dëshmitarëve.

Në vendngjarje ka dalë edhe kryeprokurori i sapoemëruar i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Arben Kadriu.