Persona të panjohur në orët e mëngjesit kanë tentuar që të grabisin tre bankomate në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë në afërsi të pikës së karburantit “Hib Petrol”.
Policia e Kosovës ka njoftuar se me të arritur në vendin e ngjarjes, të dyshuarit kanë filluar të shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë.
Shkëmbimit të zjarrit, i janë përgjigjur zyrtarët policor dhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë karavan, në drejtim të panjohur.
Në veturë dyshohet se ishin katër persona me armë të gjata.
“Ekipe të policisë menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes në asistim të patrullës së policisë, e më pas në vend të ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët rajonal, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar, i cili edhe ai ka dalë në vendin e ngjarjes, i kanë nisur hetimet”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Gjithashtu në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia e Deminimit e Policisë së Kosovës.







