Lionel Messi, “10” e artë e Argjentinës, dëshiron që kjo të jetë “Copa América” e tij.
Ai po stërvitet me një intensitet mbresëlënës, siç tregohet nga kjo ndërhyrje në stërvitje ndaj bashkëlojtarit Guido Rodríguez, gjatë lojës në kuadrat, ku kapiteni i “Albiceleste” është futur në mes.
Kësi “sakrificash” fizike rrallë i kemi parë prej tij edhe në ndeshjet zyrtare, sepse ia del falë gjenialitetit që i buron nga koka dhe i materializohet nga këmbët.
Shumë njerëz, nisur edhe nga mosha e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, e shohin këtë turne si mundësinë e fundit për një trofe të madh me kombëtaren të Messit, pasi ka dështuar në disa finale.
Botërori i Katarit, në vitin 2022, ndoshta nuk do ta gjejë Leon në maksimumin e aftësive fizike e rrjedhimisht edhe sportive, ndaj “Copa America”, që nis nga nesër në Brazil, konsiderohet një mundësi e jashtëzakonshme për të, që të mos mbetet duarbosh me kombëtaren.







