Selektori i ri i Kosovës, Franco Foda e ka mbajtur sot një konferencë për shtyp në prag të ndeshjeve miqësore me Armeninë dhe me Rumaninë, të cilat “Dardanët” do t’i luajnë në udhëtim.
Trajneri gjerman u pyet për mosftesat e Ermal Krasniqit, Qëndrim Zybër dhe Muhamet Hysenit, ndërsa i dha arsyet e tij se përse ka bërë zgjedhje të tjera për këtë muaj, shkruan “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, Foda ua la dyert e hapura të gjithë lojtarëve, të cilët thotë se do t’i përcjellë në vazhdimësi.
“Ne pra kemi bërë udhëtime, kemi qenë edhe në Bukuresht. E kemi pas një grup prej 40-50 lojtarësh, por ne jemi përcaktuar për lojtarët që na kanë magjepsur më shumë. Gjithsesi, secili prej këtyre lojtarëve të ftuar duhet ta tregojë veten, më të mirën nga vetja. Gjithashtu dyert do të jenë të hapura për çdo lojtar, do të kenë mundësi që ta tregojnë veten. Por, po duam që lojtarët që i kemi ftuar, t’ua japim mundësinë që ta tregojnë veten në këto dy lojë. Në të ardhmen do t’i përcjellim vazhdimisht lojtarët. Për ne është shumë me rëndësi që të përgatitemi në këto ndeshje dhe gjatë verës, që t’i zgjedhim lojtarët më të mirë për Ligën e Kombeve”, deklaroi fillimisht Foda.
“Ne e kemi një plan shumë të qartë, me të cilin do të luajmë kundër Armenisë. I kemi përcjellë ndeshjet e lojtarëve live dhe i kemi shikuar edhe online. Për këtë arsye jemi vendosur për lojtarët që i kemi ftuar. Gjithsesi, çdo lojtar e ka mundësinë ta tregojë veten për ndeshjet e ardhshme”, përfundoi trajneri i ri i Kosovës.







