Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka premtuar investime të mëdha në fushën e turizmit dhe rekreacionit, duke e cilësuar këtë sektor si të anashkaluar nga qeverisjet e deritanishme.

Në një postim në rrjetet sociale, Buja tha se për 12 vite Lipjani është trajtuar vetëm si një “pikë tranzitore”, pavarësisht bukurive natyrore që posedon. Ai paralajmëroi ndërtimin e një Qendre Rekreacioni pranë Parkut Nacional të Blinajës, në një hapësirë prej tre hektarësh.

Sipas tij, projekti do të përfshijë tenda luksoze dhe kabina druri, zona pikniku me barbikju, një restorant panoramik, amfiteatër natyror për aktivitete kulturore, shtigje për ecje e çiklizëm, kënde lojërash për fëmijë, fusha sportive dhe parkingje për vizitorë.

“Me vizionin tonë, Lipjani nuk do të jetë më thjesht një stacion kalimtar, por një destinacion i gjallë dhe atraktiv për të gjithë”, u shpreh Buja, duke shtuar se ky projekt synon të tërheqë edhe turistë të huaj dhe të zgjasë qëndrimin e vizitorëve në komunë.