Kandidati për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar një projekt të ri për transformimin e parkingut aktual të qytetit, duke e cilësuar atë si të papërshtatshëm për nevojat e qytetarëve.

“Qytetarë të Lipjanit, parkingu aktual nuk është funksional – pa hyrje direkte nga Sheshi Adem Jashari, duke krijuar vështirësi për ju. Zgjidhja jonë është e qartë: hyrje direkte nga Sheshi, për qasje më të lehtë dhe më të shpejtë,” ka deklaruar Buja.

Ai njoftoi gjithashtu për vendosjen e 21 kupolave xhami, secila kushtuar një dëshmori të komunës, duke e kthyer këtë hapësirë jo vetëm në një parking funksional, por edhe në një vend kujtimi dhe krenarie.

Sipas tij, kupolat do të sjellin dritë natyrale, kursime në shpenzime dhe një pamje më estetike për qytetin. Buja e përshkroi këtë projekt si pjesë të vizionit të tij për një Lipjan modern, që ruan respektin për historinë dhe kujdesin për qytetarin.