Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka zhvilluar sot një takim me gratë dhe vajzat e fshatrave Bujari dhe Grackë, së bashku me kandidaten për Kuvendin Komunal, Xhenetën.

Buja u shpreh i impresionuar nga përkrahja e tyre në këtë garë zgjedhore dhe theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave në jetën sociale, ekonomike dhe politike të komunës.

“Kur fuqizohet gruaja, fuqizohet familja dhe shoqëria. Në listën tonë kandiduese kemi dhënë hapësirë të barabartë jo vetëm për gratë aktiviste të partisë, por edhe për prurje të reja nga parti të tjera dhe kuadro profesionale, të gatshme për qeverisje të drejtë dhe të ndershme.” – tha Buja.

Ai shtoi se programi i tij përmban masa konkrete për mbështetjen e familjes dhe rritjen e rolit të grave, duke garantuar përfshirjen e tyre të plotë në ekipin qeverisës.

Ky takim është pjesë e fushatës zgjedhore të PDK-së në Lipjan, ku Buja po prezanton planin e tij për një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe zhvillimore.