Shuhet ëndrra e Prishtinës për t’u kualifikuar në Ligën e Evropës, eliminohet nga një ekip amator

Ëndrra e Prishtinës për ta vazhduar rrugën e kualifikimit në Ligën e Evropës. garën dytësore evropiane, mori fund pas humbjes 2:0 ndaj ekipit të Gjibraltarit St Joseph’s të martën pasdite në Victora Stadium.

St Joseph’s e mundi 2:0 një Prishtinë që pothuajse gjithë pjesën e dytë luajti me dy futbollistë më pak për shkak të kartonëve të kuq, në ndeshjen e kthimit të rundit preliminar dhe si rrjedhojë kalon në rrethin e parë kualifikues me rezultat të përgjithshëm 2:0 pas dy ndeshjeve, pasi ndeshja e parë në kryeqyteti e Kosovës kishte përfunduar baras 1:1.

Kapiteni Armend Dallku dhe Leotrim Bekteshi kontribuan në dështimin e bardhekaltërve, për shkak se i lanë në baltë bashkëlojtarët duke u përjashtuar me kartonë të kuq në fillim të pjesës së dytë, kur rezultati ishte baras pa gola.

Klubi nga kryeqyteti në fakt pati fatin të marrë pjesë në kualifikime për Ligën e Evropës si nënkampione e Kosovës, falë Feronikelit, i cili e fitoi Superligën dhe Kupën e Kosovës.

Bardhekaltrit po shpresonin në një rezultat pozitiv pas barazimit befasues në shtëpi.

Prishtina e dominoi pjesën e parë ndaj vendasve duke tentuar më shumë dhe duke e kontrolluar ndeshjen. Por, gjërat ndryshuan rrënjësisht në fillim të 45 minutave të fundit.

Tre minuta brenda pjesës së dytë, Bekteshi e mori kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua nga loja. Kapiteni Dallku, s’u pajtua me vendimin e gjyqtarit dhe protestoi në mënyrë të papranueshme dhe si pasojë u përjashtua direkt me karton të kuq.

Kjo ia lehtësoi punën dukshëm vendasve të St Joseph’s, që një çerek lojë para fundit e shënoi golin e epërsisë. Villar shënoi për 1:0 në minutën e 75-të.

Vetëm pesë minuta më vonë, Juanfri e dyfishoi epërsinë dhe e dërgoi skuadrën e tij në rrethin e parë kualifikues.

Kjo ishte hera e katërt që Prishtina tentoi të arrijë sukses në këtë rrugëtim. Por përsëri dështoi të arrijë rezultat të mirë.