Shugurohet në Patrikanën e Pejës patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, merr pjesë edhe Gazmend Muhaxheri

Dy ditë pasi u shpreh se sa herë që vjen në Kosovë “ka ndjenjë të thellë se kthehen te vetja”, në Patrikanën e Pejës është shuguruar patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Në fjalimin e tij, Porfirije u shpreh se në program e ka vetëm paqen. Siç shkruajnë mediat në Serbi, Porfirije ka bërë thirrje për jetë të përbashkët në paqe me “vëllezërit shqiptarë”.

“Nga ky vend i shenjtë i ftoj të gjithë besimtarët që të lutemi për të gjithë, për të gjithë vëllezërit dhe motrat, bashkëatdhetarët dhe për ata me të cilët jetojmë, për vëllezërit shqiptarë. Të ndërtojmë paqe bashkë, ashtu siç ndërtuan familjet serbe me ato shqiptare, që e ruajtën Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit në kohëra të mira e të këqija”, ka deklaruar ai.

Më 14 tetor, Kisha Ortodokse Serbe shënon festën fetare të Patrikanës së Pejës. Në ceremoninë e shugurimit morën pjesë përfaqësues të Listës Serbe, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije dhe qytetarë, ndërsa, siç shkruan REL-i, në oborr të Patrikanës së Pejës u pa edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Vetëm dy ditë më parë, Porfirije në Prizren u shpreh se “Sa herë që vijmë këtu (në Kosovë) kemi një ndjenjë të thellë se jemi kthyer te vetja”.

Porfirije e kishte cilësuar në shkurt të vitit të kaluar prioritet të parë për Kishën “serbët e vuajtur nga Kosova, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët që janë kudo në botë”.

“Ne jemi në Kosovë dhe Kosova është në ne”, tha Porfirije, pas shugurimit si patriark, më 19 shkurt, në Kishën e Krye-engjëllit Mihail në Beograd.