Veri

Shtyrja e vazhdueshme e “ultimatumeve”, kur do të zbatohet vendimi për largimin e strukturave paralele serbe?

“Ultimatumi” i të premtes së 8 shtatorit, pas atij të 25 gushtit, për largimin e strukturave paralele serbe nga objekti i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Lagjen e Boshnjakëve është shtyrë.

Erden Atiq – Kryetar i Komunës së Mitrovicës, për dallim nga hera e parë kur nuk dha arsyetime fare, pasditen e së premtes njoftoi se e ka shtyrë vendimin derisa ta pranojë një raport nga Inspektorati Komunal.

Ngjashmëria në mes të “ultimatumit” të parë me atë të dytin është fakti se, të dy, në ditën kur duhej që të zbatoheshin janë shtyrë.

Në vendimin ku bëhej me dije shtyrja e vendimit, të publikuar nga Atiq, thuhet se Inspektorati komunal obligohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, “që mblidhen përmes vizitave në terren dhe komunikimin me të gjitha palët”.

“Inspektorati komunal duhet të sjellë raportin nga pika 1 e këtij neni brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas pranimit të të cilit e pas vlerësimit të të gjeturave të cilit, ky vendim ekzekutohet përmes procedurës përmbarimore, nëse palët kanë refuzuar lirimin vullnetar të objektit”, thuhet në njoftim.

Vendimi për largimin e strukturave paralele serbe.
Njoftimi i të parit të Komunës së Mitrovicës u bë vetëm pak orë pasi që Visar Syla, këshilltari i tij deklaroi se nuk ka shtyrje të ultimatumit ndaj strukturave paralele për të liruar objektin e kontestuar në Lagjen e Boshnjakëve, duke bërë kështu që në të njëjtën ditë të demantohet nga shefi i tij.

Para se te shtyhej, vendimi kishte hasur në kundërshtime të mëdha brenda dhe jashtë vendit.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njëherit të dirigjuarit e Beogradit, e kishin kundërshtuar, teksa kishin njoftuar të mërkurën e 8 shtatorit, se nuk do ta përfillnin “ultimatumin” e komunës, duke kërkuar që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Madje, punonjësit serbë të ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, të ashtuquajturës Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, të ashtuquajturës Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të ashtuquajturës Qendra për Punë Sociale, pas përfundimit të orarit të premten nuk kanë shkuar në shtëpi, por kanë qëndruar në ndërtesën e kontestuar.

Sa i përket vendimit për largimin e strukturave paralele serbe, gjatë ditës kishte reaguar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Disa orë para se të njoftohej zyrtarisht nga vetë Atiq, kreu i Serbisë tha se “Prishtina hoqi dorë” nga “ultimatumi”.

Siç pretendon ai, kjo ka ndodhur për shkak të presionit që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë aplikuar, shkruan AP.

“Prishtina u përpoq t’i zbatonte qëllimet e saj, por përsëri u vunë nën presion nga BE-ja dhe ShBA-ja dhe u detyruan të dorëzoheshin”, tha Vuçiç gjatë ditës, transmeton KoSSeV.

Ndërtimi i situatës

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

Shtyrja e zbatimit të këtij vendimi edhe për dy javë kishte ardhur vetëm dy ditë pasi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe një ditë pasi që Bashkimi Evropian, kishin dalur hapur kundër.

Të mërkurën e 23 gushtit, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë nënvizoi se ky vendim nuk ishte marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë”, nga ambasada e ShBA-së kishin thënë se e kanë këshilluar paraprakisht Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave në Veri të vendit, për t’u përmbajtur nga ndërmarrja e çfarëdo veprimi që mund t’i shtojë shtresa të reja tensioni një atmosfere tashmë të njohur.

“Ne vlerësojmë se këto veprime, të cilat nuk janë bashkërenduar me bashkësinë ndërkombëtare, janë në kundërshtim me kërkesat tona për shmangien e veprimeve të cilat mund t’i përshkallëzojnë tensionet, apo mund të perceptohen si përshkallëzuese”, kishin deklaruar ata.

Për Bashkimin Evropian vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për largimin e institucioneve ilegale serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve është në kundërshtim me përpjekjet për de-eskalimin e situatës në Veriun e vendit dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media të enjten është shprehur i shqetësuar për ndikimin që mund të kenë në situatën e sigurisë në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vendimet e fundit të autoriteteve lokale për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave komunale.

Sipas zëdhënësit të BE-së, çështja e strukturave paralele ilegale që udhëhiqen e financohen nga Serbia duhet që të zgjidhet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Çështja e strukturave të udhëhequra nga Serbia duhet të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe duhet të zgjidhet në kontekstin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe”, kishte deklaruar Stano.

Autoritetet komunale, për ta arsyetuar këtë vendim, thanë se objekti është pronë e tyre dhe se duhet të lirohet për shkak të disa “punimeve”, pa specifikuar saktësisht se për çfarë punime bëhet fjalë.

Ky vendim vjen pasi që në Veri të Kosovës që nga 26 maji kishte mbizotëruar një situatë tejet e tensionuar.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të instaluar në zyrat e tyre kryetarët e katër komunave Veriore – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – kishte hasur në kundërshtim të ashpër të serbëve lokalë – të cilët janë shumicë në këtë zonë.

Ata ishin tejet të ashpër në kundërshtimet e tyre.

Situatë më e tensionuar kishte ngjarë të hënë e 29 majit – ku protestuesit e dhunshëm serbë kishin sulmuar ushtarët e KFOR-it.

Si pasojë kishin mbetur të lënduar dhjetëra trupa të misionit paqeruajtës, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata kishte agravuar edhe më tej më 14 qershor, pasi që xhandarmëria serbe kishte kidnapuar tre policë ët Kosovës, të cilët u liruan vetëm pas presionit të madh ndërkombëtar.

Për tensionimin e situatës në Veri, bashkësia ndërkombëtare e kishte fajësuar shumë ashpër publikisht Kosovën, madje të njëjtit kishin vendosur masa ndëshkuese ndaj Prishtinës, kjo për shkak të refuzimit të qeverisë për ta shtensionuar situatën në Veri.

Kosova do ta pranonte vetëm pas masave ndëshkuese planin e de-eskalimit – i cili kishte kohë që ishte propozuar nga BE-ja dhe mbështetej nga ShBA-ja.

Kjo kishte ndodhur me 10 korrik në takimin në mes të kryenegociatorit të Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, me Emisarin Special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, në Bratislavë të Sllovakisë.

Në marrëveshjen e publikuar nga qeveria me 11 korrik, bëhej me dije se Kosova kishte pranuar reduktimin e njësive policore në dhe rreth objekteve komunale në Veri të vendit, dhe ishte pajtuar që atje të mbahen zgjedhje të reja, kjo pas atyre të 23 prillit, të cilat ishin bojkotuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Përkundër kësaj, ndaj Kosovës ende nuk janë larguar masat ndëshkuese, pasi që nga BE-ja po kërkojnë hapa shtesë për de-eskalimin e situatës në Veri.