Diploma

Njohja e diplomave të sistemit paralel, mundësi për integrimin e serbëve

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës në vjeshtë të vitit 2023, qytetarët serbë të Kosovës, mund të aplikojnë për verifikimin e diplomave të shkollës së mesme të lëshuara nga shkollat e mesme që funksionojnë sipas sistemit paralel të Serbisë. Njohës të arsimit verifikimin e këtyre diplomave po e shohin si mundësi të mirë për integrimin e qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës.

Komisioni për Verifikimin e Diplomave, do t’i verifikojë diplomat e lëshuara nga shkollat e mesme që funksionojnë sipas sistemit paralel të Serbisë e që deri me tani 270 qytetarë kanë dorëzuar kërkesat e tyre.

Këshilltarja e kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, Elizabeth Gowing, në një përgjigje për Radio Kosovën tha së pas verifikimit të këtyre diplomave, këta qytetarë mund të aplikojnë për vende pune në institucionet shtetërore të Kosovës dhe në universitetet e Republikës së Kosovës.

“ Tash do të fillojmë verifikimin e diplomave të shkollës së mesme të qytetarëve serbë të lëshuara nga shkollat e mesme që funksionojnë sipas sistemit paralel të Serbisë. Këta qytetarë do të pajisen me një certifikatë e cila do t’ua mundësojë të aplikojnë për vende punë në institucionet e Republikës së Kosovës e po ashtu edhe në universitete të Kosovës. Deri me tani kemi pasur 270 aplikime, gjë që tregon se ka një gatishmëri për verifikimin e këtyre diplomave”, theksoi ajo.

Vendimin e Qeverisë për verifikimin e këtyre diplomave, njohës të arsimit po e vlerësojnë si të qëlluar. Bardha Qirezi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën tha se kjo është një mundësi e mirë për qytetarët serbë të Kosovës për punësim dhe integrim.

“Qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë duhet t’u njihen diplomat e shkollimit. Nëse diplomat e tyre njihen, atëherë ata do të mund të punësohen me lehtë dhe të integrohen në institucione të ndryshme”, tha Qirezi.

Komisioni për Verifikimin e Diplomave në vazhdimësi i ka verifikuar diplomat e lëshuara nga universiteti paralel i Mitrovicës së Veriut, i cili ka filluar të funksionojë sipas Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2016.

Kjo marrëveshje parasheh që edhe autoritetet e Serbisë t’i njohin diplomat e studentëve nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë studiuar në Kosovë.