Zyrtarisht sot nga Qeveria e Maqedonisë Veriore është vendosur që ndeshja në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, do të luhet pa tifozë më 26 mars, shkaku i rrezikit nga infektimi me koronavirusin.

Teksa ende nuk ka ndonjë konfirmim nga Federata e Maqedonisë e Futbollit apo UEFA, ky vendim pritet të mos refuzohet.

Gjithashtu, në mediat vendore dhe ato në Maqedoninë Veriore u përhap lajmi se kjo ndeshje edhe mund të shtyhet, shkaku i disa futbollistëve maqedonas, por edhe të Kosovës, që luajnë në Itali, në vendin më të prekur në Europë nga koronavirusi.

Sipas kësaj, futbollistët maqedonas si Pandev, Elmas dhe Nestorovski (që luajnë në Itali), pas ardhjes në Shkup duhet të qëndrojnë dy javë në karantinë dhe pa stërvitje do ta prisnin ndeshjen me Kosovën, teksa i njëjti proces duhet të bëhet edhe ndaj futbollistëve të Kosovës, Amir Rrahmanit dhe Samir Ujkanit.

Menaxheri i Përfaqësueses së Kosovës, Bajram Shala tha se nuk dëshiron që të krijojë panik, por e rëndësishme është që futbollistët tanë janë mirë.

“Unë nuk mund të jap përfundime se vetëm po krijohet panik. Por, ajo që mund të them unë tani për tani, është se sot kam biseduar me futbollistët që janë në Itali, me Samirin dhe Amirin, dhe fatmirësisht ata janë mirë me shëndet dhe kjo është primare”.

“Ata [Ujkani dhe Rrahmani] nuk kanë marrë ndonjë paralajmërim për futje në karantinë ose diçka të tillë” – ka deklaruar Shala.

Kujtojmë që ndeshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars në arenën ‘Todor Proeski’.