Shtrenjtohet produkti më i konsumuar nga kosovarët, me shpejtësinë e shpërndarjes së “vajit në tepsi”

Vaji ushqimor është shtrenjtuar përsëri në Kosovë. Nga 2.93 sa ishte ditëve të fundit,  tashmë çmimi ka shkuar në 3 euro, që i bie se është rritur për 7 centë.

Çmimi i vajit ushqimor është shtrenjtuar përsëri. Sipas njoftimit që ka bërë Agjencia e Statistikave tek rubrika “çmimet ditore” është treguar se vaji ushqimor është shtrenjtuar për 7 centë.

Ditë më parë, një litër vaj është shitur me 2.93 centë, kurse tani ai ka shkuar në 3 euro, përcjell Demokracia.com.

“Vaj ushqimor luledielli – Floil, 1 litër tani kushton 3 euro, kurse në ditët e kaluara të javës është shitur më 2,93 centë”, ka treguar ASK.

Për çmimin e vajit ka pasur reagime të shumta nga qytetarët, të cilët edhe kanë kritikuar ashpër institucionet për mosreagim ndaj rritjes së çmimeve.

Çmimi i vajit në Kosovë kishte shkuar deri në 4 euro.  Për këtë kishte reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në një konferencë për media deklaroi se aktualisht çmimi i vajit në Kosovë është më i larti në botë.

“Anembanë qytetarët po na njoftojnë se çmimet janë nga 3.49 euro e jo 3.5 euro. 3 euro e 50 centë do të ishte e rastësishme, por 3 euro e 49 centë nuk është e rastësishme kjo përputhje, e cila është një fryrje artificiale në dëm të konsumatorit”, kishte deklaruar Kurti para mediave.

Kujtojmë se zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, në një intervistë televizive jave më parë duk folur për atë se si po ecin punët në ministrinë që drejtohet nga Albulena Haxhiu, pati thënë se po shkojnë si “vaji në tepsi”

“Po iu them këtu me plotë përgjegjësi, se niveli i shpejtësisë së punës së ministrisë së Drejtësisë dhe cilësisë gjithashtu, mund të krahasohet gjithashtu me nivelin e shpejtësisë së shpërndarjes së vajit në tepsi”.

Ditë më parë, ASK ka treguar se çmimet për produktet bazike ushqimore në Kosovë kanë shënuar rritje të madhe. Kurse, inflacioni ka shkuar në 14 për qind.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 1,4% në muajin qershor 2022. Norma vjetore e inflacionit e matur në muajin qershor 2022 me muajin qershor 2021 ishte 14,1%”, theksohet në raportin e ASK-së, përcjell Demokracia.com.

Por, gjatë muajit qershor, kosovarët u përballën edhe me shtrenjtimin e çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 1,4% në muajin qershor 2022 krahasuar me muajin maj 2022”.