Çmimet e naftës janë shtrenjtuar më tej, pasi ministri i Energjisë i Katarit paralajmëroi se ai pret që të gjitha vendet eksportuese të naftës dhe gazit në Gjirin Persik ta ndalin prodhimin brenda disa ditësh.

Ministri Saad al-Kaabi i tha gazetës “Financial Times” se konflikti në Lindjen e Mesme – rajon që luan rol kyç në dërgesat globale të energjisë dhe në rrugët e transportit – mund “t’i rrëzojë ekonomitë e botës”, transmeton televizioni BBC.

Rritja e çmimeve të naftës mund të ketë efekte të gjera, jo vetëm për atë se sa do t’u kushtojë njerëzve që t’i mbushin veturat, por preken edhe kostot e ngrohjes, ushqimit dhe mallrave të importuara.

Ministri Kaabi i tha gazetës “Financial Times”: “Nëse kjo luftë vazhdon për disa javë, rritja e GDP-së (prodhimi vendës bruto) përreth botës do të preket. Çmimi i energjisë për secilin do të shkojë më lart. Do të ketë mungesë të disa produkteve dhe do të jetë një reagim zinxhiror i fabrikave që nuk mund të ofrojnë [prodhim].”

Ka pasur frikë se kriza e tanishme mund të ketë ndikim të ngjashëm me luftën e Rusisë në Ukrainë, por deri më tani çmimet e naftës dhe gazit kanë qëndruar nën majat e arritura më 2022.

Katari është prodhues dhe eksportues i rëndësishëm i naftës dhe i gazit natyror të lëngëzuar.

Këtë javë, kompania “QatarEnergy” tha se e kishte ndërprerë prodhimin e gazit natyror të lëngëzuar pas “sulmeve ushtarake” ndaj objekteve të saj.