Shteti evropian porosit 64 aeroplanë amerikanë “F-35” për disa miliarda dollarë

Finlanda i ka zgjedhur aeroplanët luftarakë të tipit “F-35” të prodhuesit amerikan, “Lockheed Martin”, për t’i zëvendësuar aeroplanët e tanishëm, F/A-18. Shteti skandindav ka porositur 64 aeroplanë të rinj luftarakë në një marrëveshje me vlerën e 9.4 miliardë dollarëve, bëri të ditur të premten qeveria finlandeze.

Kompania “Lockheed Martin” garoi në tenderin miliardësh me kompaninë suedeze, “Saab”, rivalin amerikan, “Boeing”, kompaninë franceze, “Dassault”, dhe atë britanike, “BAE Systems”, shkruan Reuters.

Furnizimi nga “Lockheed”, përfshirë armët, shërbimet dhe mirëmbajtjen deri në vitin 2030, vlerësohet në koston e 8.37 miliardë eurove ose 9.44 miliardë dollarëve, tha qeveria finlandeze.

Ndërtimi i hangarëve dhe pajisjet tjera do të kushtojnë 777 milionë euro shtesë, ndërsa 824 milionë euro do të ndahen për pakon përfundimtare të armëve dhe kontrollimin e ndryshimeve të kontratës në të ardhmen, thanë më tej autoritetet finlandeze.

“Kur krahasohet performanca ushtarake, aeroplanët “F-35” i plotësuan më së miri nevojat tona”, tha ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, në një konferencë për gazetarë.

Ndryshe, Finlanda është shteti i 14-të që e zgjedh këtë tip të aeroplanëve luftarakë. Shteti i pasur do ta fillojë përdorimin e aeroplanëve “F-35” nga viti 2027, tha komandanti i Forcave Ajrore të Finlandës, Pasi Jokinen.