Shtatë gola të shënuar, përmbysje spektakolare: Juventusi fiton kryendeshjen e javës kundër Romës

Juventusi me përmbysje spektakolare në rezultat e ka fituar kryendeshjen e javës së 21-të në Serie A ndaj Romës.

“Zonja e Vjetër” triumfoi 3:4 ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Olimpico” ndaj Romës e cila e kishte fitoren në duar.

Roma ishte e para që gjeti golin në minutën e 11-të me anë të Abraham, derisa rezultatin e barazoi Dybala me super gol shtatë minuta më vonë.

Pjesën e dytë e nisën sërish më mirë romakët që rikthyen avantazhin me anë të mesfushorit armen, Mkhitaryan.

Lorenzo Pellegrini ngriti epërsinë e Romës me një gol spektakolar nga gjuajtja e lirë në minutën  53-të. Megjithatë, goli i tretë duket se i vetkënaqi lojtarët vendas që menduan se gjithçka ka marrë fund.

Locatelli 20 minuta parafundit e nisi kthesën e madhe të Juventusit kur ngushtoi avantazhin në 3:2.

Katër minuta më vonë, Kulusevski hapi ndeshjen kur barazoi shifrat në 3:3.

Mbrojtësi i krahut, Mattias De Sciglio shfrytëzoi gabimin e Smalling dhe me goditje të saktë nga afërsia përmbysi gjithçka duke shpërthyer në festë kampi “bardhezi”.

Roma kishte mundësi të artë të barazonte shifrat në 4:4, por Pellegrini dështoi nga pika e bardhë e penalltisë së shkaktuar nga De Ligt i cili u përjashtua me karton të kuq.

Juventusi me këtë fitore ngritet në kuotën e 38 pikëve në vendin e pestë, kurse Roma bie në pozitën e tetë me 32 pikë.