Shqiptari në Australi vrau vajzën se konsumonte drogë dhe dilte me shoqet

Në korrik të vitit 2019, një ngjarje e rëndë tronditi Australinë. Petrit Lekaj, një shqiptar me origjinë nga Shkodra, po mbahet i arrestuar nga policia si i akuzuar për vrasjen e vajzës së tij, Sabrina Lekaj, pasi kishte dalë me shoqet gjatë natës.

20-vjeçarja u gjet e vrarë në makinë, e goditur me thikë, pak orë pasi ishte ndarë nga shoqet. Mamaja e saj telefonoi policinë të paktën një orë pasi vajza kishte vdekur.

Policia gjeti babain 49-vjeçar pranë saj, brenda në makinë, të lyer me gjak dhe me plagë thike në bark. Policëve iu desh të thyenin xhamin e makinës që t’i nxirrnin të dy. Babai u mor në pyetje dhe më pas u mbajt i arrestuar, ndërkohë që ndaj tij është ngritur akuza për vrasjen e së bijës.

Avokati Ben Sale tha klienti i tij u fut në makinë bashkë me vajzën për të shkuar për të blerë ushqime dhe për të folur rreth sjelljes së saj. Ai tha gjithashtu se vajza e kishte gënjyer të atin për të dalë me shoqet gjatë natës dhe për të konsumuar lëndë narkotike, shkruan Bendigo Advertiser.

Petrit Lekaj ishte burgosur më parë në 1994 për trafikim të heroinës, u dënua dhe u gjobit për posedim kanabisi në vitin 2007, si dhe për kultivim të kanabisit në vitin 2009.

Ai pritet të dalë në gjyq këtë të premte, pasi është operuar për plagët.

Shoqja e ngushtë tha për mediat australiane se vajza kishte shprehur shqetësim se do t’i bërtiste babai kur të shkonte në shtëpi, pasi e kishte kaluar mbrëmjen duke festuar me të, deri natën vonë. Vajza njihej si studente e zonja dhe pianiste e talentuar. Ajo ishte duke vazhduar studimet e larta për imazheri mjekësore dhe piano klasike, me rezultate të shkëlqyera.