Demo Berisha, kryetar i një shoqate “shqiptarësh” në Novi-Sad, ka sulmuar kryeministrin e Republikës së Kosovës Albin Kurtin, duke thënë se ai, së bashku me liderë të tjerë ballkanikë dhe opozitën serbe, po përgatiten për të rrëzuar nga pushteti, siç shprehet ai, “presidentin tonë Vuçiq”.

“Nuk më brengos fakti se çfarë ka deklaruar Kurti për dërgimin e trupave ushtarake në Ukrainë, përkrah forcave amerikane, por për mua është më brengosëse fakti se Kurti, së bashku me liderë të tjerë të këtyre vendeve përreth dhe me opozitën Serbe, janë duke u përpjekur që ta rrëzojnë presidentin tonë Vuçiq”, ka thënë Demo Berisha në një emision televiziv në Serbi.

Demo Berisha, një ish-ushtarak jugosllav, me prejardhje nga Peja, njihet si një nga shqiptarët e rrallë që mban qëndrime kundër Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj. Madje, ai njihet si një njeri që mban qëndrime edhe proruse. Berisha, ka vizituar edhe Rusinë dhe është bashkëpunëtor i rregullt i mediave propgandistike ruse Sputnik dhe Russia Today.