Shqiptarët që i transferoi në Lazio Igli Tare

Igli Tare ishte futbollisti i parë shqiptar që do të vishte fanellën e ekipit të Lacios.

Megjithatë pak kush do të mendonte se një ditë ai do të ishte drejtor sportiv i klubit, dhe në ekip do të afroheshin kaq shumë shqiptarë.

Sulmuesi nga Kosova Vedat Muriqi është i fundit që pritet t’i bashkohet ekipit që surprizoi në sezonin e fundit të Serie A. Të tjerë bashkëkombës të afruar te Lacio kanë qenë Lorik Cana, Etrit Berisha, Valon Berisha e Thomas Strakosha.

Afrimi i lojtarëve me kombësi shqiptare te Lacio ka tërhequr vëmendjen e gazetës “La Gazetta Dello Sport”.

“Në moshën 17 vjeçare mbërrita në Gjermani nga Shqipëria. Në një natë të ftohtë dimri, mes pyjesh, kalova kufirin mes Gjermanisë dhe Çekisë, duke paguar 800 euro”, kujton gazeta italiane fjalët e Tares në rrëfimin e tij të disa viteve më parë rreth mënyrës si nisi rrugëtimi në futbollin europian, ku tashmë është bërë një prej drejtorëve sportiv më të mirë në qarkullim.