Shqiptarët në Mitrovicë të Veriut që 4 ditë pa rrymë, thonë se askush nuk po merret me ta

Banorët e lagjes Kroi i Vitakut në Mitrovicën e Veriut kanë katër ditë që nuk kanë rrymë, pasi ju është djegur trafoja.

Sipas tyre kjo nuk është hera e parë që e kanë këtë problem i cili edhe po ua vështirëson jetesën në pjesën veriore.

“Jena tu jetu në kushte mizore, në kushte të vështira. Ndërtim nuk ka, kthim të shqiptarëve nuk ka, rrymë nuk ka, punësim nuk ka”, thotë Nazmi Ismajli, kryetar i Këshillit  të Veriut.

Lidhur me këtë çështje banorët të udhëhequr nga Skender Sadiku, i cili është zëvendëskryesues në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë kërkuar ndihmë në komunë.

Ky i fundit përmes telefonit i tha Klan Kosovës se komuna nuk ka mjete për rregullimin e trafos dhe se e vetmja zgjidhje mbetet që banorët të mbledhin para dhe ta rregullojnë në mënyrë vetanake.

Pa rrymë kanë mbetur rreth 60 familje shqiptare të cilat kanë qenë të lidhura në këtë trafo, derisa ato serbe e kanë një trafo të veçantë dhe kanë rrymë.