Shqiptar Demaçi: Është koha e bashkëpunimit, jo e vijave të kuqe

Kandidati i PDK-së për deputet, Shqiptar Demaçi, ka ftuar të gjitha subjektet politike që ta shikojnë interesin e përgjithshëm dhe të heqin dorë prej interesave të ngushta partiake.

Ai ka thënë se është koha që të ketë mendime të reja dhe të pakontaminuara në politikë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Demaçi ka vlerësuar se partitë politike duhet të bashkëpunojnë për interesa kombëtare e jo t’i vendosin vija të kuqe njëra-tjetrës.

Djali i simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, ka deklaruar se subjektet politike duhet të angazhohen maksimalisht për të mirën e qytetarëve.

“Është e rëndësishme që partitë politike të heqin dorë nga interesat e ngushta për hir të interesave të qytetarëve. Nuk është mirë të fokusohemi në vija të kuqe dhe blloqe të mendjes, por të përpiqemi të kemi një bashkëpunim sa më të mirë në mes të partive. Shpresoj se do të kemi një fushatë korrekte dhe demokratike, kur secili do t’i prezantojë idetë e veta dhe të fitojë më i miri”, është shprehur ai.

Demaçi, i cili në listën e PDK-së do ta mbajë numrin 55, ka treguar arsyet e kyçjes në politikë.

Ai ka thënë se me tërë kapacitetin profesional dhe njerëzor do të angazhohet për mbrojtjen e ambientit.

Sipas tij, kjo drejtpërdrejt ndikon në shëndetin e qytetarëve. “Siç dihet, ambienti ndikon në shëndetin e njeriut. Si profesionist gjatë punës sime kam parë shumë probleme shëndetësore të lidhura me ambientin, pra shumë shkaqe të sëmundjeve të ndryshme që vijnë si pasojë e ambientit. Prandaj, meqenëse ne merremi me pasoja, tani është koha të përpiqemi që shkaqet e këtyre sëmundjeve t’i minimizojmë dhe mundësisht t’i eliminojmë”, është shprehur ai.