Shqipëria pëson rënie në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja e Shqipërisë i ka humbur pesë pikë të vlefshme për listën e FIFA-s, që i radhit të gjitha Kombëtaret e botës në futboll, dhe ka rënë në një pozitë më poshtë.

Pas ndeshje të zhvilluara në fillim të tetorit, Shqipëria tani radhitet në pozitën e 65-të në listën e FIFA-s, një më poshtë sesa në listën e shtatorit, ndërsa i numëron gjithsej 1367 pikë.

Shqipëria e pësoi këtë rënie pasi u mposht nga Turqia me rezultat 1-0 në ndeshjen e parë të tetorit, më 10 tetor, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020. Djemtë e Edy Rejës kishin qenë të mirë në këtë ndeshje, mirëpo një gabim në mbrojtje bëri që Turqia të shënonte vetëm disa momente para fundit të ndeshjes.

Pikët e humbura nga kjo ndeshje, Shqipëria s’arriti t’i kompensojë me pikët e fituara në Moldavi tri ditë më vonë, përkundër që siguroi fitore bindëse si mysafire me rezultat 4-0.

Në muajin shtator, Shqipëria i kishte fituar dhjetë pikë, mirëpo nuk kishte ndryshuar pozitë, ndërsa në qershor kishte pësuar rënie për katër vende më poshtë.

Ranglista e radhës e FIFA-s do të publikohet më 28 nëntor, dhe gjatë kësaj kohe Shqipëria do të shpresojë të shënojë ngritje me anën e ndeshjeve kundër Andorrës më 14 nëntor dhe kundër Francës më 17 nëntor.

loading…