Federata e Futbollit e Shqipërisë ka vendosur që kampionati vendor të rinisë me 3 qershor, duke iu përmbajtur kështu udhëzimeve të UEFA-s në mënyrë që të mos e rrezikojë mundësinë e pjesëmarrjes në garat evropiane për sezonin vijues.
Që nga marsi, aktivitetet sportive kanë qenë të ndërprera edhe në Shqipëri, si në shumicën e vendeve në botë. Megjithatë, së fundi kishin filluar diskutimet për fatin e këtij sezoni.
Në video-konferencat dhe udhëzimet e UEFA-s, Federatat ishin udhëzuar t’i vazhdonin kampionatit kurdo që të jetë e mundur, duke e pasur synim prioritar rinisjen e kampionatit e jo përfundimit para kohe të tij.
Këtë udhëzim të UEFA-s e ka ndjekur Shqipëria, e cila e ka hedhur poshtë variantin për rinisjen e kampionatit, por ka vendosur që kampionati të rinisë më 3 qershor.
Ky vendim u mor pas takimit të Federatës Shqiptare të Futbolllit me drejtuesit e 10 klubeve të Kategorisë Superiore.
Kjo do të thotë që Shqipëria po e ndjek shembullin e Gjermanisë e cila pritet që këtë fundjavë ta rinisë kampionatin, ndërkohë që Federata e Francës dhe ajo e Holandës kanë vendosur t’i përfundojnë para kohe sezonet e tyre.
Shumica e klubeve kishin qenë kundër idesë që kampionati të vazhdojë edhe më tutje, shkaku i situatës, mirëpo në fund të takimit u vendos që gara të rifillojë.
Kjo pasi që UEFA e kishte rekomanduar një gjë e tillë dhe ekipet shqiptare mund ta rrezikonin pjesëmarrjen në garat evropiane nëse nuk do ta kishin marrë këtë vendim.







