Shqipëria merr shembull Kosovën për organizim të zgjedhjeve

Shqipëria do të mbajë nesër zgjedhje parlamentare. E një ditë para, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë qëndroi për vizitë një delegacion i KQZ-së nga Kosova në krye me kryetaren Valdete Daka.

Pas takimit komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se nga delegacioni kosovar u njoftuan mbi procesin zgjedhor të 14 shkurtit, nga të cilat synojnë të marrin përvojat.

Vizitën e Dakës me bashkëpunëtorë e vlerësoi të një rëndësie të veçantë që do t’iu shërbejë për zgjedhjet e nesërme.

“Patëm sot mysafirë shumë të dashur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, delegacionin e komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve të Kosovës. Diskutuam së bashku mbi procesin zgjedhor në tërësi dhe me problematikat e këtyre proceseve kryesisht në Shqipëri por dhe për të gjitha ato informacione që lidhen me suksesin e procesit zgjedhor në Kosovë, të cilën dua ta them që është një rast shumë i mirë për ne KQZ-në e Shqipërisë, që të ndanim eksperiencën shumë pozitive të mirë, të procesit zgjedhor në Kosovë. Jemi vetëm një ditë para ditës së zgjedhjeve në Shqipëri dhe shpresojmë që prania e kolegëve tanë të Kosovës të jetë një gur i mirë për suksesin e këtyre zgjedhjeve, të paktën të marrim diçka nga suksesi i zgjedhjeve të Kosovës”, tha ai.

E kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se po qëndrojnë në Shqipëri për të vëzhguar zgjedhjet parlamentare, në mënyrë që të marrin përvojat nga reforma zgjedhore.

“Ne erdhëm që të vëzhgojmë zgjedhjet në Shqipëri dhe gjithsesi të shohim ato risit të cilat u futen në kodin zgjedhor të Shqipërisë dhe për të cilat ne kemi një interes të jashtëzakonshëm, pra është identifikimi biometrik për herë të parë do të implementohen në Shqipëri dhe ne kemi shpreh interesin që të shohim mënyrën , patëm kënaqësinë që së bashku me komisionerin të diskutojmë të gjitha këto risi që tani së voni janë futur në kod zgjedhor dhe shpresojmë që gjatë ditës së sotme çdo gjë të shkojë për së mbari dhe do të këtë sukses”, tha Daka.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, shpreson se rezultatet preliminare të zgjedhjeve të së dielës të shpallen brenda 48 orëve, ndërsa ato për kandidatë tha se do të marrin më shumë kohë.

“E kemi si një pasqyrë procesin zgjedhor të Kosovës, dhe kemi marrë të gjitha masat që të paktën rezultatin për subjektet zgjedhor parti politike, dhe koalicione të kemi brenda 48 orëve… për kandidatët besoj do të zgjasë, për kandidatët fitues zgjat edhe atje (Kosovë) të paktën të bëjmë gjithçka edhe nga pikëpamja organizative KQZ e ka bërë gjithçka që rezultatin e zgjedhjeve të paktën për parti politike dhe koalicione ta kemi Brenda 48 orëve”, tha ai.