CEI

Shqipëria merr Presidencën e CEI-së, Hasani: Të përkushtuar për integrimin në BE

Nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Shqipëria do të marrë presidencën e Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI).

Në një postim në median sociale X, ministri i Jashtëm i vendit, Igli Hasani, u shpreh se, “ndërsa Shqipëria merr drejtimin e CEI, mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara synimet e CEI për bashkëpunim rajonal dhe integrimin në BE”.

Kështu ai shprehu mirënjohje për ministrin për Punët e Jashtme dhe Integrimin Evropian të Moldavisë, Nicu Popescu, për punën e jashtëzakonshme të Presidencës moldave të CEI.

“Ndërsa Shqipëria merr presidencën e Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI), ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara misionin dhe synimet e CEI në nxitjen e bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE dhe zhvillimit të qëndrueshëm”.

Nisma e Evropës Qendrore (NEQ/CEI) bashkon vendet dhe institucionet e tyre në frymën e një bashkëpunimi rajonal në gjithë fushat e ekonomisë, dhe jo vetëm, duke qenë njëherazi pragmatik dhe fleksibël.

Kjo nismë, e krijuar më 11 nëntor 1989, përbëhet sot nga 18 vende anëtare: Shqipëria, Austria, Bjellorusia, Bosnjë dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Maqedonia, Mali i Zi, Moldavia, Hungaria, Italia, Polonia, Rumania, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Ukraina.

Objekti i Nismës është thellimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, në fushën politike dhe ekonomike si dhe sigurimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mire, në kuadër të proceseve të integrimit.

Kjo nismë ka si qëllim integrimin e ekonomive të këtyre vendeve në Evropë, me synim anëtarësimin e tyre të afërt në Bashkimin Evropian.

Shqipëria, si vend anëtar i nismës se NEQ që prej 1996, përpiqet të luajë një rol aktiv në të.

Në vitin 2006 Shqipëria mbajti Presidencën e radhës.

Kjo ishte një ngjarje e rëndësishme e politikës së jashtme dhe për vizibilitetin e vendit dhe kapaciteteve tona organizuese, çka konfirmoi rolin aktiv të vendit tonë në proceset e bashkëpunimit rajonal.