Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë sonte ndeshjen e dytë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

“Kuqezinjtë” e fituan ndeshjen e parë të kësaj kampanje të re, duke triumfuar me rikthim prej 2-1 ndaj Ukrainës të shtunën.

Ndërkohë, sonte, të besuarit e Sylvinhos do të kenë punë me Gjeorgjinë, me takimin që luhet në “Air Albania” me fillim nga ora 20:45, shkruan “Gazeta Express”.

Edhe Gjeorgjia vjen nga një formë e mirë, gjersa kishte një paraqitje masive në “EURO 2024”, duke u ndalur vetëm në 1/8 e finales nga Spanja.

Në ndeshjen e fundit, gjeorgjianët triumfuan ndaj Çekisë me shifrat 4-1.

“Gazeta Express” ju sjellë statistikat kokë-më-kokë të këtij dueli, me Gjeorgjinë që qëndron më mirë me fitore.

Në historinë e dy kombëtareve, Shqipëria e Gjeorgjia i kanë zhvilluar 15 ndeshje ndaj njëra-tjetrës në të gjitha garat, përfshirë edhe miqësoret.

Gjeorgjia ka 8 fitore, Shqipëria tri, derisa katër ndeshje janë mbyllur me rezultat të barabartë.

Ndeshja e parë mes këtyre dy kombëtareve daton në vitin 1994, në kuadër të kualifikimeve për “EURO ‘96”, ndeshje të cilën fitonte Gjeorgjia 1-0 si mysafire.

Duhej të kalonin katër vjet dhe tri ndeshje tjera që Shqipëria të arrinte fitoren e parë. Edhe ajo ndeshje luhej në kuadër të kualifikimeve për Europian – atë të vitit 2000.

Fitoren e fundit ndaj kundërshtarit të sontëm, Shqipëria e kishte arritur në vitin 2005, me duelin që zhvillohej për kualifikimet e Botërorit 2006. “Kuqezinjtë” triumfonin 3-2 si vendas.

Gjatë këtyre ndeshjeve, Gjeorgjia ka shënuar 23 gola ndaj Shqipërisë, me këtë të fundit që ka dhjetë më pak.

Golashënuesi më i mirë i historisë së kësaj përballje është gjeorgjiani, Shota Arveladze me 6 gola. I dyti është Igli Tare i Shqipërisë me 3 sosh.

Vlera e Shqipërisë për momentin kap shifrën e 104.8 milionë eurove, teksa ajo e Gjeorgjisë pak mbi 177 milionë euro.

Shqipëria zë vendin e 66-të në ranglistën e FIFA-s. Gjeorgjia gjendet katër vende më poshtë, në të 70-tin.

Lojtari më i vlefshëm i Shqipërisë në këtë grumbullim është Kristjan Asllani i Interit me 18 milionë euro, ndërsa në përgjithësi është Armando Broja me 22 milionë, i cili mungon shkaku i lëndimit.

Te Gjeorgjia, lojtari më i vlefshëm ka një shifër goxha të madhe në krahasim me atë të Shqipërisë.

Khvicha Kvaratskhelia vlerësohet me 80 milionë euro nga “TransferMarkt”, teksa i dyti është portieri i Liverpooli (i huazuar te Valencia), Giorgio Mamardashvili me 45 milionë euro.

Gjeorgjia siguroi kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, pasi edicionin e kaluar siguroi vendin e parë, në një grup me Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Gjibraltarin.

Në anën tjetër, Shqipëria edhe edicionin e kaluar ishte pjesë e Ligës B, por që kishte një performacë për t’u harruar.

Kombëtarja shqiptare përfundonte e fundit në grup me Izraelin e Islandën me vetëm dy pikë.

Shqipëria ia “pa hajrin” Rusisë, e cila u përjashtua nga kompeticioni për shkak të luftës me Ukrainën, andaj “Kuqezinjtë” i shpëtuan rënies në Ligën C.