Media globale

Shqipëria “kyç” bixhozin, çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare

Disa media të rëndësishme globale dhe europiane i kanë bërë jehonë votimit në parlamentin shqiptar ditën e Enjte për ndalimin e basteve sportive, kazinove dhe lojërave të fatit, që nga `Washington Post`, `Associated Press`, apo `Euractiv`.

Prestigjiozja `Washington Post`, e vë theksin kryesisht te pasojat fiskale që do të ketë ligji ri, me 54 milionë dollarë që do të mungojnë në arkat e shtetit në buxhetin e vitit të ardhshëm.

Një shkrim të zgjeruar ka publikuar edhe agjencia e lajmeve `Reuters`, që ndryshe nga media të tjera e vë theksin te fakti se ky ligj ka për synim që të mbrojë financat e familjeve, duke i rikthyer atyre rreth 700 milionë euro në formë konsumi apo kursimi.

Por, vëmendje të veçantë ligjit të ri i ka kushtuar edhe `Euractiv`, që financohet nga Bashkimi Europian.

Sipas saj, ndalimi i kumarit në Shqipëri ka për qëllim të luftojë krimin e organizuar.

Një ndër vendet më të varfëra të Europës, strehon rreth 4200 pika bastesh sportive në një popullsi prej 2.8 milionë banorësh, thuhet mes rreshtave, ku ndër të tjera, sqarohet se, shqiptarët lënë shumë para në kumar, rreth 150 milionë euro sipas të dhënave zyrtare, por që në të vërtetë janë rreth 700 milionë euro, raporton “scan”.

Një sërë mediash të tjera kanë pasqyruar në faqet e tyre votimin e parlamentit shqiptar për t`i dhënë fund bixhozit.