IPARD

Shqipëria eksporton produkte bujqësore në vlerë mbi 300 milionë dollarë

Rritja e eksporteve në Shqipëri erdhi pas rritjes së kapacitetit të dijes së sipërmarrësve në fshat.

Kështu deklaroi sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në çeljen e programit të ri IPARD.

“Për herë të parë kaluam 300 milionë dollarët e eksporteve si vend. 5 vjet më parë kishim 150 milionë dollarë eksporte, ndërsa tani kemi dyfishim të tyre”, tha Rama, transmeton ATSH.

Po ashtu, Rama tha se, “sot ne shikojmë se për herë të parë gjatë këtij viti nuk kemi rritje importesh bujqësore, sepse prodhimi vendas po kompenson hap pas hapi ato hapësira që ishin dhe vazhdojnë të jenë të zëna nga importet”.

Qeveria, tha Rama, ka ndërmarrë një politikë të re qasje në raport me të gjithë ata që duan të përfitojnë nga mbështetja e skemave të ndryshme të financimit.

“Ne mbështesim vetëm një numër të caktuar prodhimesh që ka perspektivë eksportin”, shtoi ai.