A mundet që opozita e një vendi të protestojë – vetëm – për të parë efektin që mund të japë bashkimi i pretenduar i fragmenteve të saj?

A mundet që opozita të protestojë për protagonizëm dhe interesa personalë?

Nuk mundet, sipas logjikës dhe mendësisë politike.

Megjithatë, mundet nëse flasim për opozitën shqiptare, të drejtuar në mënyrë de facto nga ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, aktualisht në arrest shtëpie.

Kështu pas shumë kohësh duket se protesta e sotme e thirrur nga Rithemelimi do t’i bëjë sërish bashkë deputetët e opozitës, kryesisht demokratë.

Ata kanë qenë në një zë për të shkuar drejt protestës, për të cilën thonë se do të vijnë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, mbështetës të opozitës, që do t’i bashkohen protestës që do të mbahet para Kryeministrisë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në orën 17:30.

Sot, Berisha nuk do t’i ketë ithtarët e tij të grumbulluar poshtë dritares së apartamentit, por do të lidhet me ta live.

Ai ka deklaruar se protestuesit më 20 shkurt do kenë në njërin krah bashkimin, kurse në krahun tjetër të vërtetën.

Por për cilën të vërtetë flet Berisha?

Për analistin dhe njohësin e mirë të selisë blu, Ben Andoni, opozita po teston veten dhe impaktin e bashkimit të pretenduar të tyre, de facto.

“Kurse de jure, kuptohet ajo po proteston ndaj Edi Ramës dhe pushtetit të tij, që duhet thënë se është i pamatë në vendin tonë”, thotë Andoni në një prononcim për Albanian Post.

Ai shprehet se, opozita nuk po kupton se “duhet të hapi partinë dhe duhet të kooptojë personalitete për ta nxjerrë nga moçali ku është, por duket se edhe atyre u pëlqen kjo status quo”.

Edhe pse prej kohësh protestat e opozitës e kanë humbur “shkëlqimin ose reagimin” e tyre të dikurshëm, Qeveria ka vendosur më shumë se 1 mijë forca policie për tu angazhuar për mbarëvajtjen e protestës.

Madje pjesë e planit të masave do të jenë, forcat e rendit, të sigurisë kombëtare dhe të repartit special RENEA.

Mesa duket pritet e papritura.

Por Andoni thotë se nuk e beson se kjo protestë do të jetë e ndryshme nga ato të realizuar më parë.

“Koreografia do të jetë e njëjtë, ashtu edhe kulmimi me një podium, ku do flasin oratorë të ndryshëm. Do ketë fjalën e Sali Berishës dhe para tij të gjithë njerëzve të PD-së me retorikën e zakonshme”.

Ai është i bindur se nuk do ketë shpalosje idesh, por thjesht përpjekje për protagonizëm.

“Nëse do të ishte ndryshe do ishte krijuar një lloj sinergjie dhe përveç kësaj, publiku do priste që të kulmonte me një thirrje, apo me një lloj traktati për të ardhmen. Besoj se është një testim i forcës së publikut në mbështetje të PD-së, së bashkuar së fundmi”.

Nga ana tjetër, nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka një thirre: Mos na numëroni.

Ai kërkoi që të shihet frekuenca, rezistenca dhe qëndrueshmëria.

Por pavarësisht të gjitha ai thotë se kjo protestë do të jetë masive dhe paralajmëroi mosbindje civile.

Që kjo e fundit të realizohet duhet të jetë momenti, por a qëndron kështu?

“Në këtë moment, narrativa është e lidhur me gjëra të tjera, që lidhen me botën. Nga më kryesoret është sesi do të jetë jonë në të ardhmen, nëse do ketë përshkallëzime të situatave në Kosovë dhe të ketë avancim të Rusisë në frontin e Ukrainës”, thotë Andoni kur pyetet nëse opozita do t’ia dalë të krijojë besimin e humbur tashmë.

Sipas tij, një faktor për këtë mbetet edhe fakti se Rama ka arritur të relativizojë gjithçka në vend dhe, ky është një konstatim i keq për opozitën, që merret me gjëra që publiku i ka para syve.

“Opozita nuk thotë sesi do të jetë Shqipëria nën drejtimin e tyre. Çfarë do të bëjnë me Paktin e 2008-s, çfarë modeli ekonomik do paraqitet, si do ndalohet ose do ngadalësohet ikja e shqiptarëve, si do i trajtojnë institucionet e pavarura, si do jetë përballja e tyre me opozitën dhe të tjera me radhë”.

Teksa mbetet për tu parë se sa do e përqafojnë qytetarët thirrjen e Berishës për protestë, një thirrje tjetër është shpalosur.

Gazment Bardhi – në takimin e fundit në Elbasan – la një shteg të hapur për pjesën e udhëhequr nga Lulzim Basha, që të bashkohet në miting.

Aspak çudi.

Analisti thotë për AP-në se atyre iu duhet Basha.

“Ai ka vulën e PD-së dhe duket se predispozita është që ligjërisht ai të ketë peshën me ligjin aktual”.

Paçka se iu duhet ata nuk i kanë bërë mirë llogaritë.

“Fenomenin Basha e kanë ushqyer dhe e kanë mbrujtur ata vetë, që do të thotë se nuk mund t’u shërbejë ai, por anasjelltas, që ata t’i shërbejnë Bashës”.

Për Andonin, ky i fundit është produkti më i mirë i Berishës dhe është lojtar shumë i zgjuar politik.

“Këtë e tregoi dhe me të gjithë skenën sesi u afrua dhe u largua në krye të PD-së legale”.

Basha, nga ana e tij, nuk ka pasur asnjë reagim për ftesën, por ka zgjedhur të çojë çështje reale në dyert e Gjykatës.

Nga e gjitha – diçka është e sigurtë, trazirat janë lënë në duart e popullit.

Do të ketë surpriza, të cilat po ashtu nuk varen prej nesh, po varen nga populli… janë deklaratat e fundit të opozitës që pretendohet të luftojë për padrejtësitë ndaj qytetarëve.

VIDEO BONUS: Kurti: Me SHBA-në jemi partnerë, por s’pajtohemi çdoherë