Shqipëri: Miratohet dhënia e dozës së tretë, mundësi vaksinimi edhe për fëmijët nga 12 vjeç

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot vaksinimin me dozë të tretë të personave mbi moshën 60 vjeç në Shqipëri.

Zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, tha se Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit sugjeron që në këtë situatë do të vijojë të mbetet prioritet mbulimi i popullsisë me dozën e parë e të dytë të vaksinës për ata që nuk e kanë bërë.

“Njëkohësisht Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimit vendosi që personat të cilat janë mbi 60 vjeç të bëjnë dozën e tretë vaksinës, jo më herët se 6 muaj pasi kanë bërë dozën e dytë sipas udhëzimeve që jep Instituti i Shëndetit Publik duke filluar nga data 1 nëntor i këtij viti”, – theksoi Rakacolli.

Zv.ministrja Rakacolli u shpreh se “fëmijët që janë mbi 16 vjeç do të ftohen për t’u vaksinuar me lejen e prindërve me rekomandimin e mjekut të familjes dhe mjekut pediatër dhe ISHP-së”.

“Do të ftojmë për të vaksinuar edhe fëmijët që janë 12-15 vjeç dhe paraqesin sëmundje që kanë të bëjnë me ulje të imunitetit, në bazë të rekomandimit të mjekut pediatër, në bashkëpunim edhe me ISHP-në”, tha Rakacolli./ KP