Gjykata e Posaçme

Shqipëri, Apeli i Posaçëm konfirmon dënimin me dy vjet burgim për Belerin

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin me dy vite burgim për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Himarës, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje. Një dënim i cili, pritet të çojë automatikisht në një proces të ri zgjedhjesh për Bashkinë e Himarës, ndërkohë që zoti Beleri është zgjedhur si anëtar i parlamentit europian, si pjesë e listës së partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet se kishte ofruar para në këmbim të votave në favor të kandidaturës së tij. Sipas Prokurorisë, banorit të Himarës, Arsen Rama, i cili ishte ofruar të bashkëpunonte me autoritetet, i ishin dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit.

Kryetari i zgjedhur i Himarës, ka hedhur poshtë akuzat, duke bërë përgjegjëse prokurorinë se ka manipuluar provat, si dhe duke folur për një burgosje politike të tij. Ai ju drejtua pa sukses, të gjitha shkallëve të gjyqësorit, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar lirimin, apo dhe leje për të bërë betimin si kryebashkiak. Himara, vazhdoi të qeverisej, deri para pak muajsh nga ish kryetari, socialisti Jorgo Goro, i cili po ashtu u arrestua, për abuzime me pronat. Denoncimi për të ishte bërë pikërisht nga Beleri.

Kandidat i opozitës, në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e njeriut, e cila mbron të drejtat e minoritarëve grek në Shqipëri, rasti Beleri u kthye në një mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës, duke përkeqësuar ndjeshëm marëdhëniet mes dy vendeve. Fillimisht Greqi kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Autoritetet shqiptare nga ana e tyre, këmbëngulën se bëhej fjalë për një çështje që i përket drejtësisë, dhe se ata nuk mund të ndërhynin.

Dhjetorin e kaluar Athina bllokoi avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke vënë veton ndaj hapjes së grup-kapitujve të parë në bisedimet me Komisionin europian. Edhe sot ambasadorja greke në Tiranë, Konstatina Kamitsi, deklaroi pas vendimit se sipas saj “shumë aspekte të kësaj çështje ngrenë pikëpyetje sa i takon objektivitetit të procesit, prezumimit të pafajësisë, paraburgimi i zgjatur i zotit Beleri, dënimi jo proporcional dhe mos lejimi i të drejtës së betimit”. Ajo po ashtu kujtoi se “zoti Beleri tashmë zyrtarisht është anëtar i zgjedhur i Parlamentit Europian. Është pjesë e shtetit të së drejtës që eurodeputetë e zgjedhur të kenë mundësinë të paraqiten personalisht në të gjitha punimet e Parlamentit Europian duke filluar nga seanca plenare e korrikut që vjen.“

Eurodeputetët gëzojnë imunitet të posaçëm. Nëse zoti Beleri do të ishte i ndaluar, në një nga vendet e BE-së, në pritje të procesit, ai do të ishte liruar automatikisht, ndërsa autoritetet e drejtësisë, do të duhej të merrnin autorizimin e parlamentit europian për të vijuar procesin. Por Shqipëria nuk është pjesë e BE-së, e për më tepër, që prej ditës së sotme, zoti Beleri është i dënuar me vendim të formës së prerë. /VOA