Shqetësohet Serbia: Rusia nuk po e quan më Kosovën “të ashtuquajtur”

Opinioni në Serbi ka nisur të shqetësohet me zbehjen e mbështetjes ruse në raport me çështjen e Kosovës. Kjo, sipas mediave serbe, ka nisur të vërehet më shumë që kur presidenti Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të këtij viti, por ka të atillë që thonë se Rusia kurrë nuk e ka mbështetur Serbinë në raport me Kosovën.

Gazeta serbe “Blic” ka analizuar fjalimin e përfaqësuesit rus në seancën e fundit për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

A është Kosova ende e “ashtuquajtur” për Moskën? Kjo pyetje, thotë “Blic”-i, duket mjaft logjike pas seancës së fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar Kosovës.

Siç shkruan ky medium, “seanca solli një lajm (të pa)pritur, ku përfaqësuesi i Rusisë, siç pritej, e mbështeti Serbinë, por një oktavë më poshtë me retorikë të zbutur. Megjithatë, doli një detaj i rëndësishëm – diplomati me përvojë Vasily Nebenzya harroi, rastësisht apo jo, të thoshte në fjalimin e tij për Kosovën se ajo është ‘e ashtuquajtura”.

Më tej, në artikull thuhet se “e gjithë kjo mund të mos kishte qenë aq e rëndësishme nëse përfaqësuesi i Rusisë nuk do të kishte insistuar në të gjitha fjalimet e mëparshme që ai ta quante kështu territorin e krahinës jugore serbe dhe të mos kishte protestuar gjithmonë fuqishëm kur dikush gjatë diskutimit e lidh Kosovën me ndonjë formë të shtetësisë. Mirëpo, mbrëmë për Vasily Nebenzyan, Kosova ishte thjesht – Kosovë, dhe retorika më së shumti trajtonte çështje që nuk e cenojnë shtetësinë e Prishtinës”.

“Blic”-i thotë se për dy orë e 44 minuta ka zgjatur debati i nxehtë në Kombet e Bashkuara për Kosovën, ku thuhet se përfaqësuesit e vendeve të fuqishme dhe më pak të fuqishme kanë marrë radhë, ka folur edhe shefi i diplomacisë serbe, Nikola Selakoviq. Edhe këtë herë, sipas “Blic”-it, vëmendjen e rrëmbyen fjalimet e përfaqësuesve të Kinës dhe Rusisë, por mbresa të veçanta la fjalimi i Nebenzyas.

Sepse, siç mund të shihet në bazë të raportimeve të mediave, deri në këtë seancë përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nuk e ka humbur rastin të përmend “shtetësinë e rreme të Kosovës”, shkruan mediumi serb.

Pesë vite më parë, në vitin 2017, “Blic”-i shkruan se Nebenzya parashikoi se “projekti i Republikës së Kosovës” me sa duket po dështon. Në të njëjtën mënyrë vazhdoi edhe tre vjet më vonë, ndërsa në vitin 2020 e paralajmëroi ministren e atëhershme të Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj Stublla, se do të përjashtohej nga takimi i radhës nëse do të vendoseshin simbolet e Kosovës.

“Edhe një herë në ekran shohim atributet e të ashtuquajturës shtetësi e Kosovës”, kritikoi ai në atë kohë.

Por këtë vit, “Blic”-i shkruan se situata ka ndryshuar në mënyrë drastike. Në një fjalim dhjetëminutësh, Nebenzya e ka përmendur Kosovën rreth njëzet herë, por në asnjë moment nuk ka qenë “e ashtuquajtura” Kosovë, as “shtet fals”, as “projekt”, që ishin epitete nga goja e përfaqësuesve rusë deri tani.

Ai përdori termat “krahinë”, “autoritetet e Prishtinës”, “Kosova”, “rajon”. Theksi u vu në, siç pretendoi përfaqësuesi rus në KS të OKB-së, pozitën e dobët të serbëve, pamundësinë e kthimit në Kosovë, nxitjen e urrejtjes, sekuestrimin e pronës dhe injorimin e kthimit të tokës së manastirit të Deçanit.

“Të drejtat e serbëve janë shkelur sistematikisht dhe në vazhdimësi që nga viti 1999 dhe praktikisht gjatë gjithë këtyre viteve kemi qenë dëshmitarë të spastrimit etnik në rritje. Numri i serbëve në jug të Ibrit po zvogëlohet në mënyrë drastike, kanë mbetur vetëm disa enklava dhe ata nuk mund t’i ushtrojnë të drejtat e tyre”, tha Nebenzya.

Në fund të fjalës, ai u ndal edhe tek roli i SHBA-së dhe BE-së në dialog, se vazhdojnë të “gatuajnë” zgjidhje alternative në favor të Kosovës, si dhe përmendi një shembull të një dokumenti gjermano-francez që kërkon që Beogradi të pajtohet për shtetësinë e Kosovës.

“Ky nuk është shembulli i vetëm. Aspiratat e Brukselit dhe Uashingtonit janë të përqendruara që Serbia të heqë dorë nga interesi kombëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial”, theksoi ndër të tjera Nebenzya.

Dhe, shkruan “Blic”-i, me kaq mori fund.

Këtë e vë në dukje edhe ish-diplomati dhe ambasadori i Serbisë në Bjellorusi, Sreçko Gjukiq, i cili beson se Nebenzya e ka përgatitur mirë fjalimin e tij dhe se vështirë se mund të quhet rastësi që e ka lënë jashtë pikërisht këtë detaj.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së është forumi më i madh ndërkombëtar dhe asgjë nuk ndodh rastësisht në ngjarje të tilla. Ky lloj fjalimi mund të jetë një sinjal se Rusia ka ndryshuar pozicionin e saj ose se do ta ndryshojë atë, ose për Beogradin ose Uashingtonin. Ata tregojnë se Kosova mund të jetë një monedhë kusuri, për ne mund të jetë ‘ja çfarë do të ndodhë nëse futni sanksione’ dhe për Perëndimin: ‘ne do ta njohim Kosovën, ndërsa edhe ju njihni ndonjë element të konfliktit aktual ose bëni ndonjë lëshim’”, thekson Gjukiqi për “Blic”-in.

Si argument ai tregon se që nga viti 2000 Rusia ka një mision diplomatik në Kosovë, i cili quhet Zyra e Ambasadës së Federatës Ruse në Kosovë.

“Ajo zyrë ka statusin e përfaqësisë diplomatike, dhe shërben për të mbajtur marrëdhënie diplomatike me Prishtinën dhe autoritetet atje. As në Serbi nuk përmendet, prandaj po flitet për Greqinë”, thekson Gjukiqi.

Më 24 shkurt, Rusia filloi një pushtim të Ukrainës dhe presidenti i saj, Vladimir Putin, herë pas here justifikon luftën e tij me Kosovën. Jo shumë kohë më parë ai pyeti: “Kur Kosova mund të shkëputet, pse nuk munden Donetsku dhe Luhansku?”.

Këtë e thotë për “Blic”-in edhe edhe Suzana Grubjeshiq nga Qendra për Politikë të Jashtme në Beograd.

“Meqenëse në maj të vitit 1992 ata shkëmbyen vendosjen e sanksioneve ndaj RFJ-së për anëtarësim në FMN, nuk ka garanci se në të ardhmen nuk do ta shkëmbejnë pranimin e Kosovës dhe Metohisë në OKB për një nga rajonet e aneksuara të Ukrainës. Rusia kryesisht kujdeset për interesat e veta dhe përdor precedentin e Kosovës si monedhë për t’u barazuar me Perëndimin. Serbia nuk ka asgjë për të fituar nga kjo, përveç iluzionit se Rusia po mbron integritetin tonë territorial duke shkelur atë të Ukrainës”, thekson Grubjeshiqi.

Ndërkaq, për zbehjen e mbështetjes ruse ka folur edhe ish-ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Dragan Shutanovac. Në një paraqitje në televizionin serb K1, ai deklaroi se Rusia nuk e ka mbrojtur kurrë Kosovën.

“Në vitin 1992, Rusia votoi pro sanksioneve të OKB-së kundër Serbisë dhe ato sanksione ishin dukshëm më të mëdha se ato kundër Rusisë. Në vitin 2003 ata u larguan nga Kosova pa asnjë shpjegim. Po të donin të kujdeseshin për Kosovën, do të mund të qëndronin”, tha Shutanovac.