U 21

Shpresat synojnë fitoren përballë Austrisë favorite

Austria ka luajtur në Evropianin e këtij viti dhe ka lojtarë në liga elitare evropiane. Kjo, megjithatë, nuk i tremb lojtarët e përfaqësueses U-21 të Kosovës në futboll që të premten (sot, 18:00) në Ried, do të kërkojnë fitore ndaj Austrisë. Austria U-21 e Kosova U-21 takohen në kuadër të grupit të tretë të eliminatoreve për “Euro 2021”.

Austria e Kosova vlerësohen rivalë për vendin e dytë në grup që mund të jetë i mjaftueshëm për kualifikim në Evropianin e Shpresave. Aktualisht në grup udhëheq Anglia me 9 pikë nga tri ndeshje. Austria është e dyta me 9 pikë nga katër ndeshje, ndërsa Kosova e treta me 6 pikë nga katër ndeshje.

Më 15 tetor, Kosova kishte pësuar 2-1 nga Shqipëria në Elbasan, ndërkohë që Austria kishte pësuar 5-1 në udhëtim nga Anglia. Kosova më herët ka fituar 4-0 ndaj Andorrës dhe 3-1 ndaj Turqisë. Ka pësuar 2-0 nga Anglia, pra është mbajtur më mirë se Austria ndaj favorites së grupit. Austria ka fituar 3-1 ndaj Andorrës, 4-0 ndaj Shqipërisë dhe 3-0 ndaj Turqisë.

“Nesër na pret një ndeshje shumë e rëndësishme. Është ndeshje që mund të na mbajë gjallë shpresat për kualifikim. E dimë që Austria është ekip i mirë, por ne mendojmë për veten tonë. Kemi mungesa, por lojtarët që i kemi për këtë ndeshje janë shumë të mirë dhe do të japin kontributin e tyre. Kemi talent dhe jemi gati për ndeshjen”, ka thënë Eris Abedini, njëri prej liderëve të gjeneratës aktuale të Shpresave.

loading…