Shpresat e Shqipërisë me fitore të madhe ndaj Sllovenisë

Përfaqësuesja U21 e Shqipërisë në futboll ka shënuar fitore të madhe, të hënën mbrëma në Elbasan. Shpresat e Shqipërisë fituan 2:0 ndaj Sllovenisë, falë golave të shënuar në pjesën e dytë.

Ndeshja i takoi grupit G të eliminatoreve për Euro 2023. Sllovenia katër ditë më parë e ndali në barazim 2:2, përfaqësuesen e Anglisë.

Por kuqezinjtë shfrytëzuan rastet dhe fituan sfidën.

Bernard Karrica shënoi golin e parë në minutën e 53-të. Ai realizoi me goditje të fortë nga zona. Për 2:0 shënoi Armando Dobra në minutën e 58-të. Dobra shënoi me goditje me kokë.

Sllovenët kanë dominuar sa i takon rasteve (15:5), por nuk kanë konkretizuar. Ndërkohë Shqipëria shndërroi në gol dy goditjet e vetme të sakta që i kishte.

Në minutën e 95-të, portieri i Shqipërisë, Angjelo Tafas ndali penallti. Ai ishte më i suksesshëm përballë Tamar Svetlinit.

Me këtë fitore, Shqipëria del e dyta në grup me 9 pikë, sa i ka edhe Çekia në vend të parë, por me një ndeshje më pak të luajtur.

Në këtë grup është edhe Kosova, që të martën nga ora 18:00 luan me Çekinë në udhëtim. Kosova i ka vetëm tri pikë nga tri ndeshje.