Shpjegimi mjekësor i deformimit të veshit te sportistët e UFC-së (VIDEO)

Veshi lulelakër, i njohur po ashtu si hematoma perikondriale ose veshi i yjeve të sporteve luftarake, është një deformitet në vesh që shkaktohet nga trauma.

Termi ‘veshi lulelakër’ i referohet një deformiteti në vesh të shkaktuar nga trauma topitëse ose lëndimet tjera, të cilat rëndom ndodhin në artet e përziera marciale. Në rast se nuk mjekohet, lëndimi shkakton një bllokadë që ndalon rrjedhën e gjakut dhe e dëmton indin. Kjo rezulton me një pamje me ‘gunga’ të veshit që ngjan me lulelakrën.

Te njerëzit e zakonshëm, format e lëndimit që shkaktojnë ‘veshin lulelakër’ janë të parandalueshme duke mbajtur veshje mbrojtëse në kokë, mirëpo te aplikuesit e arteve marciale është vështirë të parandalohet.

Shkaktari më i shpeshtë i ‘veshit lulelakër’ është goditja në vesh ose goditjet e përsëritura – që shkaktojnë hematoma ose grumbullime të vogla gjaku që mpiksen dhe bllokojnë rrjedhën e gjakut dhe nutricientëve. Kjo mund të ndodhë po ashtu edhe kur lëkura tërhiqet nga kërci (indi gjysmë i ngurtë që i jep formë veshit).

Zakonisht, ‘veshi lulelakër’ lidhet me lëndimet sportive, mirëpo jo gjithmonë. Çfarëdolloj traume në vesh mund ta shkaktojë atë. Madje mund të jetë edhe pasojë e një infeksioni në laprën e veshit.

Kur qarkullimi i gjakut është i bllokuar, kërci i përfshirë mund të nekrotizohet (vdesë) dhe pa indin mbështetës të paloset në vetvete. Me kalimin e kohës, efekti mund të bëhet më i dukshëm dhe i përhershëm. Lajmi i mirë është se ‘veshi lulelakër’ mund të parandalohet edhe pasi të ketë ndodhur lëndimi.

https://www.youtube.com/watch?v=B_iNKtM2nW8